Millosh Gjergj Nikolla ─ ky është emri i tij i vërtetë, se Migjeni, është pseudonimi ose emri i tij i pendës. Ishte poet dhe prozator shqiptar
i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më
të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të
20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma
dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në
realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të
viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si
"Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e
ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj. fshikulloi
ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë anticifligare qe i ndjeshëm
ne vitet kur shkroi. Një shtysë te posacme mori përhapja e krijimtarisë
se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër
botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë
pjesërisht të pabotuara.
Familja dhe rinia e hershme
Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani nje shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.
Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë
të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u
martua me Stake Milanin nga Kuçi. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924), i ati i Milloshin dhe Kriston[1].
Gjergji,
i ati, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i
komunitetit. Vlen për tu përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i
Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli).[2]
Gjergji ishte i martuar martua me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në
1900. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur
vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti
gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Në këtë
dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30
tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t'et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916
duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofia
gëzonte nam të mirë në rrethet shoqërore dhe ish edukuar në seminarin
katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane.[2]
E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq
më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi
dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në
Shkodër [2]. Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë sëTrimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.
Jeta e veprimtaria
Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku vetëm në serbisht ka notën mirë, ku e motra Lenka ishte shpërngulur martuar atje me Llazar Jovanin, familja e të cilit e kishte origjinën nga Kavaja. Daja, Jovan Kokoshi, e lajmëroi se i pati nxjerrë bursë për në gjimnazin e Manastirit.
U nis atje në vjeshtë të 1925. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me
rezultate të mira, për vjetin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së
tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks "Jan Shën Teologu" po në atë qytet. Në gjimnazin e Manastirit ka po t'atillë notë në serbisht, në histori e fizikë, dhe "mjaftueshëm" në matematikë; në zell ka notën tre. Edhe në seminar gjatë vitit të parë Milloshi ka vetëm "mirë" në serbisht, greqisht, latinisht, frëngjisht, porse vitin e dytë në gjithë këto gjuhë, sikundër edhe në rusisht, qëndron "shumë mirë"; vetëm në letërsinë kishtare ka "mirë" dhe "i shkëlqyer" në pedagogji, metodikë, gjimnastikë, dhe në këngë. Në klasën e tretë zbret përsëri në "mirë"
në gjuhët klasike dhe në mësimin kryesor, "Shkrimet e Shenjta". Në
latinisht as në klasën e katërt s'e ka përmirsuar notën, porse tani
është i shkëlqyer në rusisht dhe shumë mirë në greqisht; notën "mirë" e ka në "Dogmatikë" (teologji), në psikologji e logjikë. Në vjetin e pestë, në të fundit, është shumë mirë në latinisht dhe pergjithësisht vetëm "mirë" në mësimet fetaretë Seminarit. I ka dhënë rëndësi gjuhëvet frëngjisht e rusisht, me të
cilat lexonte drejtpërdrejt autorët më të vështirë. Në diplomën e
lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet "bir i Gjergjit, tregtar".
Me atë "Dëftesë Pjekurie" e shpalli kandidat t'aftë për shërbim
kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në
fakultetet universitare. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis
më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Në
pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen
shënimet e titullarit: "Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta
s'ka". Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër
dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare.
Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Iliria", "Bota
e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje
të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi,
gjë që do frymzonte këtë të fundit t'i kushtonte një libër kujtimesh.
Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për tu shëruar nga sëmundja e
mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.
Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat
filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të
autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë
shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste,
thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në
zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë
të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me
dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv
përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të
birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj.
pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e
autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla
romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin
vendin në errësirë ("kalbësinave që kërkojnë shejtnim"). Kritika e
rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me
dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me
grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit
si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi
revolucionar në realizmin kritik.
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e
Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte
në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin
regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të
përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda
e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj.) ishin të papunë që rropateshin
gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në
zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur
jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar,
Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së
vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre
fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në venddhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh,
si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e
klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e
privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai
tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e
tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në
"Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e
paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me
forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një
reviste", "Novelë mbi krizën" etj.) Skamorët, të cilët i urrenin
shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i
pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr" dhe sidomos te
"Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe
dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore.
Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre
ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe
konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike,
psikologjizmi i hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza,
figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të
stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e
rinj të kohës.
Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për
një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të
ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare ; me veprat e tij ndihmoi në
formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e
qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.
Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht.
("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961,
kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet
poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e
Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli "Mësues i Popullit"
post-mortem në vitin 1957.