Parlamenti grek miratoi projektligjin e ri tatimor mbrëmë pas mesnate,pas debateve të forta që pati mes deputetëve të qeverisë dhe atyre të opozitës.Një sërë taksash të reja të papëlqyera për një shtresë të popullsisë janë synuar të futen në projektligjin e ri për rritjen e të ardhurave pasi qeveria greke ka detyrime ndaj kreditorëve ndërkombëtarë.
“Shumica e familjeve greke do të përfitojnë nga ky projekt-ligj” theksoi në fjalën e tij ministri i Financave Jannis Sturnaras ,duke vënë në dukje se ka një shpërndarje të drejtë të barrës fiskale tatimore dhe se projekt-ligji i ri do i jap fund taksave të padrejta të të ardhurave nga burime të ndryshme.
Gjatë debateve të shumta me partitë opozitare ministri Sturnaras është sulmuar kryesisht nga partia e Sirizas dhe e ka akuzuar atë për “mungesë propozimesh”dhe se ajo zbaton politikën e atyre që nuk vlerëson interesat e vendit”.
“Sot ju hiqeni të fortë dhe kundërshtoni Trojkën ,por nesër kryetari juaj do të shkëmbejë kredencialet me ministrin gjerman Schauble,kjo është Syriza ,me politikën e saj të brendshme dhe të jashtme”debatoi ministri i financave mbrëmë në parlament.
Ndërkohë shumë anëtarë të partisë Demokracia e Re akuzuan prap këtë parti për fjalorin shumë të ashpër ndaj qeverisë pa patur asnjë propozim konkret për masat.
Kështu,në projekt-ligjin e ri ka një ndryshim për ata qytetarë që kanë të ardhura vjetore më shumë se 42.000 euro tatimi vjetor do ketë një rritje prej 42% të normës se tatimit.
Qeveria greke mundohet të justifikohet se masat e reja janë të drejta, për të rritur të ardhurat e buxhetit për vitin 2013 me 2.3 miliardë euro këtë vit duke qenë se që prej vitit 2010 ajo po mbijeton nga kreditë e marra prej FMN dhe BE.
“Ne nuk jemi për rritje të taksave “tha zëvendës ministri i financave Jorgos Mavraganis,”por në situatën që ndodhemi ,duhet të ndihmojmë vendin për të dalë nga kriza ekonomike”.Gjithashtu ai foli dhe për ata që i janë shmangur tatimeve se do të kontrollohen llogaritë e tyre jashtë vendit për periudhën 2009-2011 dhe se kjo cështje ka akoma shumë punë për të bërë.