“Facebook” nisi ditën e enjte zyrtarisht një betejë ndaj rivalit më të madh në treg, rrjetit shoqëror “Twitter”, duke bllokuar fotografitë që publikoheshin në këtë rrjet nëpërmjet programit “Instragram”, të blerë së fundmi nga kompania e Zuckerberg.
Kevin Systrom, drejtori i përgjithshëm i kompanisë së grumbullimit dhe shpërndarjes së fotografive lajmëroi gjatë të enjtes se “Instagram” kishte vendosur që të ndërpriste mbështetjen që i jep “Twitter”-it, duke nisur kështu praktikisht betejën ndërmjet dy rrjeteve më të mëdhenj shoqërorë në botë.
Systrom e justifikoi këtë vendim me rritjen e kompanisë në treg, duke argumentuar se nuk ka më nevojë të fshihet pas emrit të kompanive të tjera të mëdha, por specialistët besojnë se pas lëvizjes shihet qartësisht ndikimi i “Facebook”.
Si rrjedhojë e tërheqjes së “Instagram”, në vend të fotografive të publikuara nëpërmjet këtij sistemi, tek përdoruesit e “Twitter” shfaqej vetëm një link, i cili të dërgonte tek kjo faqe, nga ku bëheshin të shikueshme fotografitë.
”Instagram”, një kompani me 100 milionë përdorues, ka sistemin më të sofistikuar të shpërndarjes dhe zhvillimit të imazheve në rrjet dhe në aparatet celularë, një risi të cilën edhe “Twitter” ka nisur ta zhvillojë.
Kompania u ble në muajin shtator nga “Facebook”, për 715 milionë dollarë, pasi kompania e Zuckerberg mposhti konkurrencën e “Twitter”, që kishte paraqitur një ofertë më të ulët.