Në gatishmëri luftarake po vihen delfinët
Armët e Luftës së Ftohtë po rimarrin jetë të re. Në Ukrainë rifilloi programi i trajnimit të delfinëve - specialistë shpërthimesh dhe gjahtarë të diversantëve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kur bota përgatitej për tu përballuar me konflikte të reja, mendjet më të ndritura në të dy anët e Atlantikut nxirrnin në dritë njohuri të reja, shpiknin materiale dhe teknologji, të cilat përdoreshin kryesisht për mbrojtje. Në vitet 1960 në Amerikë dhe Bashkimin Sovjetik shkencëtarët ndërmorrën studimin dhe trajnimin e gjitarëve detarë - delfinëve dhe fokave - për përdorimin e tyre për qëllime ushtarake. Për shembull, të dy vendet përgatisnin delfinët për asgjësimin e anijeve të kundërshtarit, tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" eksperti ushtarak detar rus Konstantin Sivkov:
- Në Bashkimin Sovjetik sistemi i trajnimit të delfinëve parashikonte ruajtjen e jetës së kafshëve pas plotësimit nga ato të detyrave të veçanta. Krijoheshin pajisje shpërthyese speciale, të cilat delfini duhej t’i bashkangjiste në pjesën e poshtme të anijes. Mbas kësaj pajisja shkëputej me kujdes nga delfini, kafsha largohej në një distancë të parrezikshme dhe vetëm pastaj detononte mekanizmi shpërthyes. Gjatë kërkimit dhe likuidimit të diversantëve gjithashtu parashikohej që delfinët të mbeteshin të gjallë. Sistemi amerikan i trajnimit supozonte vdekjen e kafshës pas plotësimit prej saj të pjesës më të madhe të detyrave.
Siç vuri në dukje Drejtuesi i programit detar të Rusisë të Fondit Botëror për Natyrën e Egër (World Wildflife Fund, WWF) Konstantin Zgurovskij, gjatë përpunimit të konceptit të përdorimit të delfinëve për qëllime luftarake zgjedhja e shkencëtarëve nuk ra krej rastësisht mbi këta gjitharë:
- Ata i nënshtrohen shumë mirë trajnimit dhe janë krijesa tej mase inteligjente. Këto janë programe mjaft efektive, por unë shpresoj shumë se ato nuk do të hyjnë kurrë në punë. Këto programe kanë një jetë shumë të gjatë dhe unë nuk di asnjë rast kur këto kafshë të jenë përdorur kundër diversantëve. Megjithëse, ndoshta, kjo dhe mund të ketë ndodhur ndonjëherë.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik baza unikale e trajnimit të delfinëve luftarakë në Sevastopol i kaloi në pronësi Ukrainës. Që atëherë gjendja e këtij kompleksi shkencor erdhi duke u përkeqësuar: fondet e financimit filluan të reduktohen, nisën të shiten pajisjet unikale shkencore, u larguan specialistët. Siç është përmendur në shtypin rus dhe të huaj, në fillim të viteve 2000 Ukraina ia shiti delfinët e mbetur të trajnuar Iranit, ku ata pretendohet se përdoreshin për patrullimin e ujërave të Ngushticës së Hormuzit. Konstantin Sivkov nuk përjashtoi, se rifillimi i trajnimit të gjitarëve detarë luftarakë nga specialistët e Ukrainës mund të jetë i lidhur me porositë e reja të ushtarakëve iranianë.