SHBA, ujqërit ruajnë burgun..
Në kohë krize edhe burgjet duhet të gjejnë zgjidhje alternative dhe zëvendësimi i rojeve me ujqër me siguri mund të cilësohet e tillë. Ideja u ka ardhur drejtuesve të burgut shtetëror të Luizianës, në SHBA, që ndodhet në St. Francisville, e që njihet me emrat "Angola" ose "Alkatraci i Jugut".
Bëhet fjalë për të njëjtin burg që u bë i famshëm falë librit dhe filmit "Dead Man Walking" me aktorin Sean Penn.
Sipas gazetës "Wall Street Journal", drejtuesit e burgut të sigurisë së lartë janë detyruar të pushojnë nga puna 105 nga 1200 rojet dhe për të mos humbur kontrollin e perimetrit kanë "rritur" 80 qen të një race mikse kryqëzuar me ujk: kosto totale është 60 mijë dollarë ndërkohë që vetëm rroga vjetore e një roje kushtonte 34 mijë dollarë.
Angola, në të cilin ndodhet edhe të dënuarit me vdekje të Shtetit të Luizianës, është burgu më i madh i sigurisë së lartë në SHBA ku ndodhen rreth 5000 të dënuar. Nga tre anë rrethohet nga lumi Misisipi dhe gjithsesi mbrohet nga rrethime të ndryshme të elektrizuara.