Në besimet e popujve të Ballkanit, gjarpri shpeshherë shfaqet si krijesë që ndihmon njerëzit, që i ruan prej të keqes, që u ruan shtëpitë dhe varret, që përfaqëson shpirtrat e të parëve.
Ata besime për gjarprin janë shumë të moçme në Ballkan, sidomos në trevat, të cilat për arsye gjeografike ose ndonjë arsye tjetër, kanë mbetur të kursyera prej ndikimeve të mëdha të popujve të ndryshëm, të cilët gjatë kohës prunë në Ballkan besime dhe adete tjera.
Simboli i gjarprit në derën hyrëse, në Tuz afër Liqenit të Shkodrës
Një prej atyre viseve, që kanë ruajtur shumë besime dhe adete të moçme, është treva në veri të Liqenit të Shkodrës. Saktë, në këtë zonë është ruajtur tregimi shumë interesant dhe si duket shumë i moçëm për gjarprin, i cili u ndihmon njerëzve në nevojë. Tregimi, që është shënuar edhe jashtë kësaj treve, është ruajtur në shumë versione, por ai më interesanti është:
Marinarët (peshkatarët) kanë lundruar me një anije nëpër Liqe të Shkodrës dhe kanë gjuajtur peshk. Pa pritur, erdh furtuna dhe tallazet e hodhën anijen në shkëmb nënujor, i cili çeli vrimën në barkë. Nëpër atë vrimë, uji shpejt depërton dhe rrezikon të mbys anijen bashkë me peshkatarë (marinarë).
Këtë luftë për jetë e pa gjarpri prej bregu. Ai u hodh në ujë dhe me trup të vet e mbylli vrimën dhe e shpëtoi anijen bashkë me peshkatarë. Gjarpri e ka trupin e ftohtë për arsye se uji në liqe ka qenë shumë i ftohtë kur ai u fut në ujë për të shpëtuar peshkatarët.
Është edhe versioni, ku thuhet që vrimën në anije e bëri miu, e jo ndeshja e anijes me shkëmbin nënujor. Në një version tjetër, për të shpëtuar anijen, gjarpri u kërkoi disa kushte njerëzve në anije.
Lë të ndalemi te tregimi që rrjedh nga afërsia e Liqenit të Shkodrës. Çka është këtu aq interesante, që na shtyu ta zgjedhim për komentim tonë?
E vërtetë, ky tregim na çon larg në të kaluarën ilire. Dihet, në trevën e Liqenit të Shkodrës, në kohën para-romake dhe romake, kanë jetuar Labeatët, fis ilir. Në monedhat e tyre të farkëtuara në shekullin II para Krishtit shumë qartë shihet që anijet përpara (në ballë) dhe mbrapa kanë pasur simbolin e gjarprit.
Zbukurimet që marinarët i vendosin në ballë të anijes simbolizojnë ndonjë kafshë ose shpeshherë krijesë mitologjike, për të cilën besojnë që do t'i mbrojë në lundrimin e gjatë dhe të rrezikshëm nëpër det.
Nëse Labeatët, çka është e besueshme edhe për Ilirët tjerë, vendosnin në ballë të anijes simbolin e gjarprit, e jo vetëm në anije që lundronin nëpër Liqe të Shkodrës, por edhe nëpër det, vepronin ashtu se besonin që ai do t'i mbrojë prej fatkeqësive. Pra, gjarpri merr rolin e mbrojtësit të marinarëve, dhe kjo kurrsesi jo rastësisht.
Dihet, Ilirët e jugut e çmonin gjarprin si mbrojtës të fisit (totem), për arsye se në mitologjinë ilire gjarpri është në lidhje me vetë emrin e Ilirit. Shkrimet antike, që sjellin këto tregime, përmendin Ilirin (Illyrios), të cilin, sa lindi, e mbështolli gjarpri dhe i dha fuqinë magjike.
Edhe prindërit e Ilirit, Kadmi dhe Harmonia, mbas vdekjes u shndërruan në gjarpërinj. Disa dijetar modern mendojnë që emri Ilir do të thotë gjarpër. Këtu duhet të jetë edhe shpjegimi pse gjarpri ka qenë kaq shumë popullor te Ilirët, dhe kjo në kuptimin pozitiv; ai nuk rrezikon njeriun, por e ndihmon dhe e ruan prej të gjitha fatkeqësive.
Ky besim për gjarprin në kuptimin pozitiv është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në Ballkan, besim i përhapur për gjarprin rojë e shtëpisë; gjarpri ruan shtëpinë dhe familjen.
Tregimi që këtu paraqitem, e gati mund të përjashtohet dyshimi, është vazhdim i drejtpërdrejtë i tregimeve me të vërtetë shumë të moçme për gjarprin që ndihmon njerëzit; për arsye se në atë tregim, ai shfaqet si shpëtimtar i marinarëve, gjegjësisht peshkatarëve në Liqenin e Shkodrës, duhet të supozojmë që tregimi është i lidhur me besimin e marinarëve labeatë dhe të gjithë ilirëve për gjarprin si mbrojtësin e tyre.
Ky tregim ka rëndësi të madhe për studimin e gjurmëve ilire në besimet e tashme të shqiptarëve rreth Liqenit të Shkodrës; ai mund të na shërbejë edhe si vërtetim jo vetëm për vazhdimësinë kulturore por edhe etnike të shqiptarëve në ato troje.