Gary Connery: Ja pse më zgjodhën të interpretoja rolin e Mbretëreshës
Lojërat Olimpike janë në kulmin e zhvillimit të tyre, ndërsa për të gjithë ata që kanë ndjekur ceremoninë madhështore të hapjes pak ditë më parë, u ka mbetur në mendje ndër të tjera momenti kur mbretëresha Elisabeta ka zbritur me parashutë nga helikopteri i drejtuar nga James Bond.
Por, në realitet nuk ka qenë vet mbretëresha ajo që ka zbritur nga helikopteri, por një tjetër personazh i maskuar në imazhin e saj, pikërisht parashutisti profesional Gary Connery.
Tashti pasi ka realizuar këtë skenë tepër të rrezikshme por edhe të jashtëzakonshme gjatë hapjes së ceremonisë madhështore, babai i dy fëmijëve tregon sesi ka realizuar ëndrrën e tij.
Gary dhe James Bond janë stërvitur për shumë kohë për debutimin në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike.
Atë mbrëmje, 43-vjeçari Gary, është parë i veshur njësoj si mbretëresha me fustan të njëjtë, me të njëjtën vathë e madje me të njëjtët flokë.
Kur e pyesin se përse kanë zgjedhur pikërisht atë për të qenë në imazhin e Mbretëreshës, Mr Connery përgjigjet: “Për një arsye fare të thjeshtë. Besoj se ata kanë pëlqyer këmbët e mia. Kam të njëjtin stil këmbësh me këmbët e mbretëreshës”.
Ndërsa e veçanta e rolit të aktorit të njohur britanik, Daniel Craig ishte pjesëmarrja aq shumë e pritur e Mbretëreshës së Anglisë, Elisabeta II, e cila simuloi edhe një hedhje nga helikopteri së bashku me aktorin.
Shumë udhëheqës botërorë ndoqën shfaqjen, e cila nisi kur fituesi i “Tour de France”, Bredli Uigins, i ra kambanës së një zileje gjigante para një turme prej rreth 80 mijë njerëzish.