Bashkia e Tiranës dyshohet të ketë favorizuar një shkollë të lartë private për të marrë me qira konviktin e gjuhëve të huaja, në Tiranë, që ndodhet përballë me shkollën e mesme “Asim Vokshi”. Të gjitha procedurat e ndjekura nga bashkia e Tiranës për dhënien me qira të godinës 5-katëshe, shtojnë dyshimet, se nuk është ndjekur rruga e duhur ligjore dhe gjithçka po bëhet për të favorizuar universitetin “Luarasi”, i cili fillimisht i ka bërë bërë një kërkesë Ministrisë së Ekonomisë për të marrë me qira këtë ambient. E gjithë kjo procedurë jo vetëm që është mbajtur sekret, por ajo që shton hijet e dyshimit, është fakti se bashkia ka ndryshuar destinacionin e këtij objekti, duke i dhënë një institucioni privat një sipërfaqe prej 3500 metrash katrorë me vetëm 300 lekë në muaj metri.
Procedura
Ndërsa më datë 28 dhjetor 2012, kryetari i bashkisë së Tiranës ka miratuar në këshill bashkiak buxhetin e kryeqytetit, ku ishte parashikuar edhe kthimi i këtij konvikti në shkollë 9-vjeçare, gati një muaj më parë, kreu i kësaj bashkie duket se ka dhënë “ok-in” për dhënien me qira të këtij objekti. Kjo pas kërkesë së ardhur nga ministria e Ekonomisë që t’i hapë dritën jeshile për dhënien me qira të këtij objekti universitetit jopublik “Luarasi”. Më konkretisht, me datë 30 nëntor 2011, Ministria e Ekonomisë, me një shkresë që mban nr. e protokollit 8543/1, dërguar kreut të bashkisë Lulzim Basha (për dijeni i është dërguar edhe Dajena Kumbaros, administratore e universitetit “Luarasi”), i përcjell bashkisë për kompetencë, kërkesën e universitetit “Luarasi” për marrjen me qira të konviktit të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Në këtë shkresë, ish-ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i shpjegon z.Basha se sipas ligjeve në fuqi, kriteret për dhënien me qira dhe enfiteozë të pasurive shtetërore, i takojnë institucionit që i ka nën administrim, ndaj i ka kërkuar asaj të nisë procedurat për dhënien me qira, si institucioni që administron këtë konvikt. Disa muaj më vonë, në shkresën që mban datën 27.3. 2012, me numër protokolli 236, lënda “Për njoftim kapitali”, Isa Doçi, drejtori i konvikteve në bashki, vë në dijeni nënkryetaren e bashkisë Jorida Tabaku se “sipërfaqja e këtij objekti është rreth 3500 metra katrorë, godina është 5 kate, sipërfaqja e katit përdhe është 886 metra katrorë, sipërfaqja e kateve të tjera është 640 m2 dhe numri i nxënësve që e përdorin këtë objekt është 100. Me qëllim efikasitetin e përdorimit të këtij objekti, i cili në kushtet aktuale kërkon një kosto të lartë të mirëmbajtjes dhe administrimit, propozojmë që konvikti të jepet me qira në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për t’u përdorur sërish për veprimtari edukativo-arsimor. Tarifa dysheme e detyrimit mujor për sipërfaqet nën objekt të jetë jo më pak se 300 lekë/m2" - thuhet në këtë shkresë që është dërguar në tryezën e numrit dy të bashkisë, Tabaku. Drejtori i konvikteve, Doçi, e ka argumentuar këtë kërkesë të tij me faktin se nuk i përballojnë dot shpenzimet për mirëmbajtjen. “Në cilësinë e ndërmarrjes që e ka nën administrim, ju bëjmë me dije se, referuar pasqyrave 2011, vlera kontabël e objektit konvikti i gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” është: Kosto fillestare 11.940.827 lekë; amortizimi progresiv është 955.265 lekë dhe vlera kontabël e mbetur është 10.985.562 lekë. Propozojmë që ky objekt të jepet me qira nga ana e organeve shtetërore, sepse kostoja e mirëmbajtjes është shumë e lartë”, - thuhet në shkresën e kreut të konvikteve. Më tej drejtori Doçi thotë se duke qenë se numri i konviktorëve është i vogël, kjo drejtori do të marrë masa për shpërndarjen e tyre nëpër godinat e tjera të konvikteve që ata kanë nën administrim. Procedura kërkon që pas kësaj të jetë ministria e Ekonomisë që do të vendosë, ndërsa mësohet se ish-ministri Nasip Naço ka firmosur për hapjen e procedurave të tenderit të kësaj godine. Mësohet gjithashtu se tenderi për dhënien me qira të këtij objekti do të zhvillohet ditën e mërkurë, 28 qershor 2012, dhe askush tjetër nuk është vënë në dijeni për këtë tender, përveç universitetit “Luarasi”. Siç shikohet gjithçka hedh hije dyshimi mbi këtë procedurë, kur bashkia e Tiranës, një muaj pasi i ka mbërritur kjo kërkesë dhe ka dhënë miratimin për nisjen e procedurave për dhënien me qira ka deklaruar se do ta kthejë në shkollë 9-vjeçare, ndërsa nuk ka dhënë një përgjigje se ku do t’i strehojë këta nxënës.