Zbulohen kushtet që BE i ka vënë Serbisë për Kosovën. Edhe pse nuk po flitet haptas as në Beograd as në Bruksel.
Por mesazhin e BE-së Miroslav Lajçak ia ka transmetuar Tomsilav Nikoliçit dhe Ivica Daçiçit.
Gazeta “Politika” e Beogradit shkruan sot se “gjykuar sipas asaj që Beogradi duhet të bëjë për të normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën (zbatimi i marrëveshjeve të arritura krahas pezullimit të institucioneve të Serbisë në veri), BE nga Serbia kërkon të hapë zyrën e Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas të Prishtinës në Beograd, pezullimin e Gjykatës në Mitrovicë, lejimin e kodit telefonik për Kosovën dhe takimin në nivelin më të lartë Beograd- Prishtinë.
Sipas gazetës kosovare, ‘Koha ditore’, në Beograd nuk flitet për këto, por megjithatë politikanë serbë i përmendin sa herë iu duhen. Ivica Daçiç kohë më parë në Beograd tha se pret që qeveria e re e Serbisë të hapë zyrë në Prishtinë dhe të lejohet kodi telefonik i saj.