ANKARA – Qeveria e Turqisë ka kërkuar thirrjen e një mbledhjeje të NATO-s në lidhje me rrëzimin e një avioni turk nga ushtria siriane. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni turk. Mësohet se për këtë temë, Aleanca do të bisedojë të martën gjatë një takimi në Bruksel, ndërsa nesër do të diskutojnë edhe ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg.
Sipas zëdhënëses së NATO-s në Bruksel, Oana Lungescu, Turqia “ka kërkuar konsultimin në bazë të Nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Në bazë të nenit 4, secili prej aleatëve mund të kërkojë konsultime kur mendon se integriteti territorial i tij, pavarësia politike apo siguria e tij kërcënohen”, shpjegoi zëdhënësja.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka shprehur shqetësim të thellë për incidentin e avionit turk të rrëzuar nga forcat ushtarake të Damaskut. Gjatë një telefonate me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, kreu i OKB-së tha se ishte i alarmuar për implikimet potencialisht të rënda që episodi mund të ketë në rajon.
Ministri i Jashtëm turk ka shpjeguar se avioni turk është qëlluar nga sirianët ndërsa ndodhej në hapësirën ajrore ndërkombëtare, ishte i vetëm, i çarmatosur, nuk po kryente asnjë mision “sekret”, as po fshihte identitetin e tij dhe nuk morri asnjë paralajmërim.
Davutoglu tha se Phantom-i turk i rrëzuar në Mesdhe mund edhe të ketë kaluar për pak kohë në hapsirën ajrore siriane, siç ndonjëherë ndodh, por ai është goditur 13 milje larg brigjeve siriane, ose thënë ndryshe rreth 15 minuta pas shkeljes së mundshme territoriale. Davutoglu tha se nuk i besonte deklaratës siriane sipas së cilës Damasku nuk ishte në dijeni se bëhej fjalë për avion turk.