Mesatarisht, çdo ditë, pesë çifte i drejtohen Gjykatës së Tiranës me padi që kanë objekt zgjidhjen e martesës. Sipas statistikave të ofruara zyrtarisht nga Gjykata e kryeqytetit,qw nga muaji janar deri në maj të këtij viti janë regjistruar 600 padi për zgjidhje martese dhe krahasuar me vitin e kaluar, kjo shifër është në rritje.
"Tradhëtia bashkëshortore zë numrin më të madh. Bien dakort të dyja palët për të evituar vonesat apo situatën që mund të krijohet në të dy familjet e bashkëshortëve. Shkaku shkruhet për shkak të marrëdhënies së ftohjes së marrëdhënies, por tradhëtite janë një pjesë e konsiderueshme e divorceve", thotë Bujana Tançica, zëdhënëse e Gjykatës së Tiranës.
Por sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë për pesë vitet e fundit, vihet re se paditë për zgjidhje martese kanë shënuar rritje në të gjithë vendin. Sipas këtij institucioni, në 70 për qind të rasteve që përfundojnë në gjykate jane bashkeshortet, ato që kanë kërkuar divorcin. Sipas Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur koha për të patur një studim dhe për të dalë në një përfundim, se përse janë shtuar divorcet vitet e fundit dhe se çfarë po ndodh me familjen shqiptare?
"Nga viti 2006 deri në vitin 2011 rezulton, se tendenca e këtyrë çështjeve është në rritje, me përjashtim të vitit 2010, kur vëmë re një ulje të vogël, por në 2011 ka përsëri rritje të numrit. Nga analiza që iu është bërë këtyre të dhënave, rezulton se Gjykata në të cilën janë regjistruar më shumë kërkesë-padi me objekt zgjidhje martese është Gjykata e Tiranës, me 1631 çështje, e ndjekur më pas nga Gjykata e Elbasanit me 594 çështje dhe ajo e Durrësit me 566 cështje. Ndërsa Gjykata ku ka patur më pak numër të regjistruar zgjidhje martese është Gjykata e Pukës me 20 çështje, e ndjekur nga Gjykata e Tropojës me 40 çështje dhe ajo e Kukësit me 49 çështje. Rezulton që janë gratë ato që gjatë vitit 2011 i janë drejtuar Gjykatës për zgjidhjen e martesës së tyre", thotë Edlira Bako,inspektore në Ministrinë e Drejtësisë.
Te dhenat zyrtare tregojne se nga zonat rurale vjen nje shifer e paperfillshme divorcesh, shumica e te cilave ne fshat kane ndodhur per shkak te dhunes ne familje te denoncuar nga gruaja.Nderkohe qe ne qytet raportohet se shkaqet e divorceve jane nga me te ndryshmet, perfshi edhe motivet ekonomike, qe kanë sjelle me pas krize ne çift apo edhe divorce te padegjuara, qe kane prekur edhe te moshuarit.
"Kemi patur raste, të paktën vitin e kaluar kanë qenë rreth 3 raste për shkak të rrjetit social të Facebook. Bashkëshortët kanë shkuar deri në zgjidhjen e martesës, për shkak se bashkëshortja e tyre ka qenë duke konsumuar një kohë të madhe në Facebook. Vitin e kaluar ka qenë një cift 85-vjeçar, për të cilin objekti ka qenë ftohja e marrëdhënies. Kjo çështje ka shkuar deri në Gjykatën e Apelit", tha Tançica.