ATHINE - Bursa e Athinës regjistroi një rënie 5 për qind brenda ditës, dy javë para zgjedhjeve legjislative vendimtare të 17 qershorit, ndërkohë që presionet kundër Greqisë janë rritur që ajo të respektojë angazhimet.
Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore nga Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara zhvilluan një videokonferencë të martën për të diskutuar lidhur me krizën financiare në eurozonë dhe implikimet e saj në ekonominë globale. Nuk u dha asnjë deklaratë pas diskutimeve, të cilat, sipas një diplomati europian, ishin një debat i përgjithshëm që kishte të bënte me bankat spanjolle dhe zgjedhjet e përgjithshme të 17 qershorit në Greqi.
Një zyrtar i lartë tha se një dalje e mundshme e Greqisë nga euro nuk u diskutua. “Ne diskutuam për sfida të përbashkëta në ekonominë botërore dhe veçanërisht zgjidhjet për to,” tha zyrtari. Agjencitë e lajmeve raportuan se Jun Azumi, ministri i Financave i Japonisë kishte thënë se G7 kishte rënë dakord që të bashkëpunonte për zgjidhjen e shqetësimeve të Evropës.