Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një nëndetëse bërthamore amerikane e cila gjendej në portin e Mejnit. Sipas burimeve zyrtare të ushtrisë së SHBA-ve bëhet fjalë për nëndetësen “USS Miami” ndërsa saktësohet se nga ky incident kanë mbetur të plagosur shtatë persona, pesë prej të cilëve ishin zjarrfikës.
Një zëdhënës i ushtrisë informoi se reaktori bërthamor i saj nuk ishte vendosur në punë në momentin e aksidentit dhe nëndetësja është deklaruar e sigurt. Sipas tij zjarri që përfshiu pjesën e përparme të nëndetëses, nisi mbrëmjen e së mërkurës dhe u shua vetëm në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Megjithatë akoma nuk janë bërë të ditura shkaqet e rënies së zjarrit për të cilat po hetohet intensivisht. ”USS Miami” ndodhet në portin e Mejnit që prej muajit mars dhe po i nënshtrohet një remonti.