Ministria e Arsimit është përfshirë në skandal, KLSH: Ka abuzuar me fondet publike
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se Ministria e Arsimit ka abuzuar me fondet publike dhe ka kryer evazion fiskal në projektin për informatizimin e shkollave publike.
Skandali që ka përfshirë Ministrinë e Arsimit ka lidhje me kontratat që ka bërë kjo ministri me firmën serbe, në Beograd, ‘MpSoft Group’ dhe ‘CT Computers’, për instalimin e laboratorëve të informatikës në të gjitha shkollat e arsimit bazë janë vendosur pajisje me cilësi me të ulët kundrejt atyre, për të cilët është paguar dhe se mungojnë pajisjet në disa prej shkollave.
Raporti i KLSH-së i kryer në mars të vitit 2010, vëren se buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar prej qindra milionë lekesh.
Sipas raportit rezulton se kompania serbe ka sjellë pajisje laboratorike të një cilësie më të ulët sesa ajo qe ishte parashikuar ne kontratë, ndërkohë Ministria ka paguar gati 209 mijë dollarë më shumë, sikur ato pajisje te ishin, të një cilësie më te lartë.
Edhe në doganë, Ministria e Arsimit ka paguar rreth 4.3 milionë lekë detyrim, sikur pajisjet të ishin të markës së përcaktuar në kontratë dhe jo për pajisjet që janë zhdoganuara realisht, të cilat kanë çmim më të ulët.
KLSH vëren gjithashtu, se për shkak te vonesave në realizimin e projektit, kompania serbe duhej të penalizohej me rreth 373 854 mijë dollarë, por në fakt kjo shumë është mbledhur nga Ministria e Arsimit.
KLSH konstaton nga ana tjetër, që fondi i garancisë së vendosur në bankë nga kompania serbe është tërhequr përpara dorëzimit të pajisjeve, shumë kjo e barabarte me vlerën e penaliteteve, pra rreth 374 mijë dollarë.
Sipas KLSH-së nga faturat dhe nga koalidimi rezulton se malli i porositur është i tjetër cilësie dhe markë dhe nga një tjetër vend. Por veç cilësisë së ulët rezulton se nga 665 kabinete informatike, që duhet të dorëzoheshin realisht, janë dorëzuar vetëm 619 kabinete, pra 46 me pak, si dhe ka mangësi në materiale të tjera kompjuterike, si kufje, mikrofon, karta kompjuteri edhe në laboratorët e përfunduara.
/E.L/