Policia e Korçës ka informuar se kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, Armando Abdullaj, i cili punonte si fajdexhi në këtë qytet, nuk kanë pasur ende asnjë rezultat.
Edhe pse emri dhe fotografia e të riut janë bërë të njohura për opinionin publik, asgjë nuk është konkretizuar në lidhje me fatin e 30-vjeçarit.
Familjarët, të cilët dyshojnë së 30-vjeçari mund të jetë rrëmbyer, tregojnë se kanë vijuar edhe vetë kërkimet, por pa asnjë rezultat. Ata i bëjnë apel policisë së Korçës të intensifikojë kërkimet.
“Me gjithë përpjekjet e familjes që janë në kërkim ditë për ditë dhe në kërkimin e policisë nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Deri kur do vazhdojë, ka 3 javë që djali më ka ikur. Ju lutem të punojnë pak më shumë, që të bëjnë të mundur gjetjen e djalit”- shprehet nëna e 30-vjeçarit.
Ndërkohë burime zyrtare nga policia e Korçës bëjnë të ditur se hetimet për gjetjen e të riut vazhdojnë, duke u përqendruar tek një rrëmbim i mundshëm, pasi 30-vjeçari prej kohësh jepte para me fajde tek persona të tjerë.