Ligji, Shqipëria rikthen kufirin detar me Greqinë.
Maxhoranca pranon propozimin e opozitës për kufirin jugor.
Kthehet në fuqi ligji i 2008. Kufiri, 12 milje nga bregu.
Shqipëria përcakton kufirin detar me Greqinë, tre vjet pas rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes mes dy vendeve. Komisioni i Ligjeve pranoi dje me konsensus një propozim të Grupit Parlamentar të PS-së për caktimin e koordinatave në një gjerësi prej 12 miljesh detare të kufirit.
Pas diskutimit deputetët ranë dakord me një variant të ofruar gjatë mbledhjes nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, për rikthimin në fuqi të nenit 3 të ligjit të vitit 2001, i cili ishte shfuqizuar në vitin 2008. Në nenin që merr sërish fuqi thuhet: “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi)”. Gjatë mbledhjes së Komisionit, nismëtari i këtij drafti, Ilir Gjoni, tha se “ky ligj i propozuar nga qeveria nuk ka asnjë nen që të lidhet me ujërat territoriale. Ndërsa për kufirin në tërësi ka vetëm një nen, sipas të cilit ai vendoset në bazë të traktateve mes dy vendeve. Duke shfuqizuar ligjin e vitit 2001, Shqipëria ka shfuqizuar vijën e drejtë bazë të Republikës së Shqipërisë, ka shfuqizuar gjerësinë e detit territorial prej 12 miljesh detare të Shqipërisë. Ne gjykojmë që të bëhet amendimi i nenit 3 ashtu siç e kemi propozuar ne, që vendi ynë të mos ngelë me kufij të papërcaktuar, sidomos pas një periudhe 100-vjeçare që ne jemi si shtet”. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, theksoi se megjithëse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, kufiri tokësor mes dy vendeve është përcaktuar në bazë të piramidave, për të cilat ka takime të shpeshta. “Sa i takon kufirit tokësor me Greqinë, megjithëse nuk ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve, nisur nga protokolli i nënshkruar në vitin 1985, kemi një regjim të njohjes së kufirit përmes piramidave. Parimisht nuk jemi kundër propozimit të PS-së. Paragrafi i parë i propozimit të PS-së është i reflektuar plotësisht në ligjin aktual për kontrollin e kufirit”, u shpreh Nishani. Megjithëse ligji kaloi me konsensus, kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, u përplas me deputetin Sajmir Tahiri, lidhur me një pyetje që ky i fundit bëri për kanalin e Korfuzit. Pas debatit mes tyre mbledhja u ndërpre për 15 minuta, kohë gjatë së cilës Rusmali, Gjoni dhe Nishani gjetën edhe formulimin konsensual të ligjit.
/Panorama/