Njëmbëdhjetë vjeçarja pushton majat e shkëmbinjve
Me një shikim të përqendruar, Ashima Shiraishi, me qetësi ngjitet në shkëmbin e saj të parë të ditës, një shkëmb i lartë afro gjashtë metra. Ajo ndjek gjurmët që janë lënë nga alpinistët e tjerë me përvojë.
Një jastëk i zi i trashë është vendosur në tokë, ndërsa Ashima, pa litarë apo mbrojtëse nis të pushtojë shkëmbin. Me një zgjatje të fundit ajo arrin në majë.
Ajo nuk duket më, por dëgjohet një zë i butë nga lartësia: “Si të zbres poshtë?”, thotë ajo.
Ashima vetëm sa ka nisur një ekspeditë dyjavore të alpinizmit në Hueco Tanks, një park shtetëror që është vend i shenjtë për të gjithë entuziastët e ngjitjeve në gurë.
Tri ditë pasi arriti në park, ajo befasoi gjithë botën e alpinizmit, duke u ngjitur në “Crown of Aragorn”, një shkëmb shumë i vështirë për t’u pushtuar. Këtë shkëmb kanë arritur të pushtojnë vetëm pak femra.
Asnjë nuk ishte 10-vjeçare, si Ashima.
Ashima, një vajzë e vogël dhe e dobët, jo vetëm që është ranguar si alpinistja më e mirë e grup-moshës së saj në SHBA apo në ndonjë vend tjetër të botës, por arritjet e saj e kanë ranguar në mesin e elitës në këtë sport.
Në vitin 2008, si vetëm shtatëvjeçare, ajo nisi të dërgonte mesazhe të qarta, duke përballuar disa shkëmbinj që shumë pak alpinistë me përvojë mund të përballonin.
Në Hueco në vitin 2010 ajo u ngjit në një shkëmb të quajtur “Power of Silence”. Vitin tjetër ajo kaloi një shkëmb më të vështirë, të quajtur “Chablanke”.
Në kampionatin e të rinjve në SHBA, të mbajtur në mars, ajo me lehtësi doli e para.
Para se të përfundonte klasën e pestë, Ashima, që vetëm sa ka mbushur 11 vjeç, po iu tregon të gjithëve se si një fëmijë mund të matet me alpinistët profesionistë.
Këtë verë ajo do t’i bashkohet një grupi të alpinistëve amerikanë për një ekspeditë në Afrikë të Jugut, ku do të jetë fëmija i vetëm në këtë grup.
“Ajo është një vajzë e adhurueshme. Inteligjenca e saj e ngjitjes është aq e lartë, sa që si t’i tregojë se si të bëjë një gjë ajo e regjistron menjëherë. Ajo menjëherë e di se çfarë lëvizje duhet të bëjë”, ka thënë redaktori i revistës “Urban Climber”, Andrew Tower.
Nuk duhej shumë mjeshtëri për të kuptuar se diçka e pazakontë po ndodhte kur Ashima së pari nisi të ngjitej në shkëmb, kur ishte gjashtëvjeçare.
Prindërit e saj Tsuya e Hisatoshi Shiraishi kishin imigruar nga Japonia në SHBA në vitin 1978. Kur Ashima ishte vetëm dyvjeçare, ata nisën të merrnin vajzën në park për t’u argëtuar.
Një mbrëmje kur Ashima ende ishte në çerdhe, me prindërit shkoi në “Rat Rock”, një shkëmb i lartë rreth 4.5 metra në pjesën jugore të parkut, që është vend i favorizuar për alpinistët amatorë. Ashima iu bashkua alpinistëve dhe po ngjitej në shkëmb. Ajo ishte aq e fokusuar sa që qëndroi me orë në shkëmb.
“Ne as që e dinim se ngjitja në shkëmb ishte sport”, tregon Hisatoshi Shiraishi.
Por, ai e dinte se vajza e tij e vogël ishte e fortë.
“Po të mos ishte ‘Rat Rock’, unë nuk do të zbuloja sportin e alpinizmit”, thotë Ashima duke qeshur.
Ashima më pas nisi të merrej rregullisht me sport. Ngjitej çdo ditë pas shkollës me trajnerin e saj të njohur me nofkën Poppo.
Poppo ishte trajner i vallëzimit, mirëpo dinte se çfarë lëvizje duhet t’ia mësojë vajzës së vogël. Ai thotë se kur ngjitet Ashima, duket sikur po ngjitej edhe vetë.
“Me vallëzim, ke hapësirë rreth vetes. Unë e mësoj atë për hapësirën rreth vetes kur ngjitet”, thotë Poppo.
Alpinizmi modern nuk është shumë më i vjetër se Ashima. Arriti famë vetëm në vitet nëntëdhjetë si disiplinë e ngjitjes në shkëmb.
Tash afro 3.65 milionë njerëz në mbarë botën merren me këtë sport.
Sporti favorizon shkëmbinjtë e vegjël para atyre të mëdhenjve, kështu që nuk ka tragjedi si në ngjitjet e majave më të larta si Everesti.
Ashima nuk u ka shpëtuar lëndimeve gjatë marrjes me sport. Dëshmi për këtë janë edhe shenjat që ka nëpër gjunjë. Edhe në kokë e ka një shenjë që e ka marrë gjatë stërvitjeve në palestër në Brooklyn. “Unë tentova të bëja një manovër të madhe dhe lëndova kokën. Por, lëndimet nuk më pengojnë. Unë e di se si duhet të bie që të mos lëndohem”, thotë Ashima.