Koreja e Jugut është shteti me shpejtësinë më të madhe të internetit në botë (2 202 KBps), teksa e fundit është Kongoja(13 KBps). Shqipëria me shpejtësi prej 171 KBps është më afër me Kongon qoftë edhe se me mesataren e shpejtësisë së internetit në botë 580 KBps.
Një studim i firmës “Pando Networks”, që përfshin 27 milionë rezultate zbritjeje të bëra mes muajve Janar–Qershor 2011 nga 20 milion kompjuterë në 224 shtete, pasqyroi të dhëna interesante në lidhje me shpejtësinë e internetit.
Sipas studimit, shpejtësia mesatare e zbritjes së një materiali në botë është 580 KBps. SHBA-të qëndrojnë më lart se mesatarja (616 KBps), ndërsa Koreja e Jugut mban vendin e parë me 2 202 KBps. Ajo ndiqet nga Rumania me 1 909 KBps dhe Bullgaria me 1 611 KBps. Lituania radhitet në vendin e katër me 1 462 KBps për t’u ndjekur nga Letonia me 1 377KBps në vendin e pestë dhe Ukraina me 1 190 KBps në vendin e gjashtë.
Afrika, Amerika e Jugut dhe vendet e Azisë radhiten nën mesataren e llogaritur. Afrika shquhet si kontinenti me shpejtësinë më të ulët të zbritjes. Ndërkohë që Kongoja është vendi me internetin më të ngadaltë me 13 KBps, Republika Afrikano-Qendrore vjen pas saj me 14 KBps dhe shteti ishull Komora me 23 KBps.
Për sa i përket rajonit tonë të Ballkanit, Shqipëria ka shpejtësinë më të ulët (171 KBps), e me pas vijon Serbia 212 KBps, Mali i zi 225 KBps, Bosnje-Hercegovina 239 KBps, Kroacia 437 KBps, Maqedonia 453 KBps, Turqia 490 KBps, Greqia 538 KBps, Sllovenia 654 KBps, Bullgaria 1 611 KBps, dhe Rumania 1 909 KBps.