Dekodohen mesazhet e Al Kaedës në filmat pornografikë
Al Kaeda kishte planifikuar të rrëmbente një anije dhe të transmetonte online pamjet e pasagjerëve që ekzekutoheshin, për t’u bërë presion qeverive që të lironin të burgosur të veçantë. Disa dokumente të koduara në filma pornografikë, në disqe memorie, tregojnë se si rrjeti terrorist planifikonte t’i vishte pasagjerët me kostume si ato të të burgosurve në Gjirin e Gunatanamos përpara se t’i ekzekutonin. Plani ishte vetëm njëri prej disa komploteve, që u zbuluan nga hetuesit që po dekriptonin një harduer të gjetur nën rrobat e një të dyshuari si terrorist i arrestuar në Berlin vitin e kaluar. Gjithsej ishin 141 dokumente të konsideruara si “ar i pastër” nga agjencitë e inteligjencës, ku detajohej gjithashtu se si do të kryheshin në Europë sulme të ngjashme me ato të Mumbait, ku njerëz të armatosur vranë 164 persona në një masakër treditëshe në vitin 2008. U zbulua se Al Kaeda planifikonte sulme të thjeshta, duke i lënë autoritetet e sigurisë të shqetësoheshin për sulme të mëdha si ai i 11 shtatorit. Dokumentet e konfirmuara nga operativët e inteligjencës gjermane në ditët pas vrasjes së Osama bin Ladenit vitin e kaluar pasqyruan detaje të jashtëzakonshme për mënyrën se si funksionon organizata terroriste.