19-vjeçarja Sofi dhe 20-vjeçari Hakon u gjendën në ishullin tragjik Outoia, kur Anders Breivik vuri në zbatim planin e tij çnjerëzor. Gjatë kohës që maniaku vriste të rinjtë pa pushim, dy studentët që nuk njiheshin mes tyre, hynë në det, që të shpëtonin nga breshëritë e plumbave.
Ata notonin pranë njëri-tjetrit dhe dëgjonin automatikun dhe ulërimat e të rinjve. Sofi kishte parë me sytë e saj të dashurin dhe shoqen e saj të ngushtë, të vdisnin para saj nga plumbat e Breivik. Ajo notonte si e çmendur, pasi e kishte pushtuar paniku dhe frika. Hakon ndodhej në ujë pranë saj, derisa mbërriti policia.
Dy të rinjtë nuk i humbën kontaktet dhe u përpoqën ta kapërcenin së bashku tmerrin dhe shokun e krijuar nga kasaphana. Pak muaj më pas, mbështetja që i jepnin njëri-tjetrit u shndërrua në një dashuri të fortë dhe sot janë të pandarë.
“Shumë muaj pas tragjedisë, teksa përpiqeshim të qetësonim njëri – tjetrin, kuptuam se kishin kimi të fuqishme mes nesh”, tha Sofi, gjatë një interviste për britaniken “Sun”. “Kasaphana nuk na mundi dot. Shpresojmë që historia jonë t’u japë pak kurajë edhe të mbijetuarve të tjerë”, tha ajo.