Një byzylyk “toksik” që bleu nga eBay, është sipas britanikes 40-vjeçare, shkaktari i shkatërrimit të jetës së saj! Brenda dy vjetësh, Jo Wollacott nga Dorset, u mbush me plagë në trup, por filloi të kishte edhe… halucinacione. U nda nga i dashuri i saj, humbi punën dhe shtëpinë!
Wollacott besonte se këto vite të tmerrshme që po kalonte ishin si pasojë e fatit të saj të keq, derisa zbuloi se byzylyku që mbante gjithë kohës në dorë, përmbante një lëndë helmuese mjaft të rrezikshme.
Sipas mjekëve, gruaja, nënë e dy fëmijëve, në fakt është me fat që jeton. Byzylyku përmbante lëndën abrin, e cila është e ndaluar të përdoret pasi një sasi e vogël e saj, mund të shkaktojë vdekjen, nëse e gëlltit. Kjo lëndë toksike është 75 herë më e fortë sesa helmet e tjera.
Wollacott bleu disa byzylykë 1 paund secilin në eBay në prill të vitit 2010. Ajo mbajti për vete një prej tyre, të cilin e vendosi në dorë, ndërsa të tjerat i shiti. Pak më vonë filluan problemet.
Së pari iu shfaq një plagë e madhe në gojë dhe pas një muaji, iu mbush gjithë trupi me plagë.
“Isha e sëmurë gjatë gjithë verës, me bark e të vjella por besoja se po kaloja ndonjë virus. Më pas jeta ime doli jashtë kontrollit”, rrëfen ajo. U nda me të dashurin e saj, pasi siç po thoshte, filloi të kishte halucinacione e të fliste përçart. Humbi edhe punën, pasi pjesën më të madhe të kohës mungonte, pasi sëmurej. Kështu, ajo u mbush me borxhe dhe u detyrua të shiste shtëpinë dhe makinën e saj. Në dhjetor të vitit 2010, shëndeti i saj psikik u rëndua tej mase, sa që u shtrua në një klinikë.
“Kisha halucinacione për ditë të tëra, nuk e kuptoja dot se çfarë po ndodhte. Mjekët nuk jepnin dot ndonjë diagnozë dhe nuk dinin se çfarë ilaçi të më jepnin. Në fillim kujtuan se mos merrja drogë, por analizat më dolën negative”, thotë ajo.
Pas nëntë ditësh doli nga klinika por vazhdoi të përballej me probleme gjatë gjithë 2011-ës, ndaj në tetor u desh të shtrohej përsëri.
Në atë periudhë kishte humbur 22 rruaza nga byzylyku i saj, ndaj e kishte hequr nga dora dhe e kishte vendosur tek mbajtësja e çelësave. Ndërsa nëntorin e kaluar e vendosi në një kuti. Që atëherë, jeta e saj ndryshoi krejt.
Shëndeti i saj psikik u përmirësua, nuk e ndjente më veten të sëmurë. Bleu një makinë të re dhe gjeti edhe një vend pune. Nuk i kishte shkruar ndonjëherë mendja se problemet e saj kishin ndodhur nga lënda helmuese që përmbante byzylyku, derisa një ditë, djali i saj Dagan solli një letër nga shkolla, e cila paralajmëronte për rreziqet e këtyre byzylykëve.
“Ishte një fotografi e një byzylyku të njëjtë me timin. Lexova për rreziqet dhe i lidha me periudhën për sa kohë e mbaja veshur. Nuk munda dot ta besoja. Kur lexova se halucinacionet dhe përçartjet ishin simptoma të helmimit nga rruazat, atëherë u qartësua gjithçka”.
Këto rruaza të ardhura nga Peruja mund të shkaktojnë jo vetëm sëmundje por edhe vdekje. Zëdhënësi i Shërbimit të Mbrojtjes së Shëndetit deklaroi se farat e “abrus precatorius” përmbajnë helmin “abrin” që është një lëndë toksike shumë e dëmshme.