Itali, vdes futbollisti 25-vjecar, i bie atak kardiak gjatë lojës!
Futbollisti i Livornos, Piermario Morosini 25-vjecar ka humbur jetën sot, si pasojë e një ataku kardiak.
Të gjithë mbetën të shokuar gjatë ndshjes së sotme të zhvilluar në stadiumin “Adriatico” të Peskarës ku vendasit luanin përballë miqëve të Livornos, ndeshje e vlefshme për javën e 35 të Serisë B. Gjithcka ka ndodhur në minutën e 31 të takimit kur Livorno udhëhiqte me rezultatin 0-2. Në këtë minutë, Morosini është shembur në fushë pa ndjenja.
Sic raportuan mediat italiane, stafi mjekësor i Livornos ka ndërhyrë menjëherë dhe kur ka parë gjendjen e tij, ka kërkuar transportimin e tij për në spital. Futbollisti 25-vjeçar, kartonin e të cilit e zotëron Udineze, por që e ka dhënë në formë huazimi tek Livorno, u mbajt në gjendje kome në spital, por pa mundur të mbijetojë.
Menjëherë pas këtij incidenti, të dyja skuadrat vendosën të ndërpresin zhvillimin e takimit, për ta luajtur atë në një datë që mbetet ende për t’u përcaktuar. Ndërkohë, Federata Italiane e Futbollit ka anuluar ndeshjen Milan Genova e planifikuar në orën 18:00.