Gjaku që mbetet në placentë menjëherë pas lindjes së fëmijës është i çmuar, sepse është i pasur me qeliza staminale. Ato mund të izolohen dhe të përzgjidhen për përdorim në të ardhmen, nëse do jetë e nevojshme. Por në cilat raste mund të përdoren dhe si ndihmojnë ato për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme?
Qelizat staminale janë qeliza primare që kanë veçantinë të autorigjenerohen dhe të diferencohen në inde të caktuara. Ato gjenden në palcën e kockës, në gjakun periferik por dhe në atë të kordonit umbilikal (kërthizës). Gjaku i kordonit umbilikal është gjaku që qarkullon midis placentës dhe kordonit umbilikal gjatë shtatzënisë. Kur lind fëmija dhe pritet kordoni umbilikal, një sasi e konsiderueshme gjaku ruhet në placentë. Ky gjak është i pasur me qeliza staminale që izolohen me një procedurë specifike, duke na dhënë kështu mundësinë e mbledhjes së menjëhershme dhe ruajtjes së këtij materiali biologjik të çmuar. Këto qeliza primitive, në kushtet e duhura mund të krijojnë qeliza specifike (të zemrës, mëlçisë, trurit, etj) dhe të shërbejnë për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.
Ku përdoren qelizat staminale?
Qelizat staminale të gjakut të kordonit umbilikal përdoren për trajtimin e sëmundjeve të gjakut që prej vitit 1988, vit ky i suksesit të parë të aplikimit të këtij trajtimi. Përdorimet e tyre kanë të bëjnë me trajtime të neoplazive të gjakut, hemoglobinopatitë e trashëguara dhe sëmundjet metabolike. Në vitin 1988 ato u përdorën për herë të parë për trajtimin e anemisë aplazike Fanconi dhe që nga viti 1995 konsiderohen të barabarta me qelizat staminale të palcës së kockës dhe mund të kenë të njëjtat aplikime trajtuese. Qelizat staminale të gjakut të kordonit umbilikal mund të përdoren jo vetëm nga personi në fjalë, por edhe nga persona gjenetikisht të përshtatshëm me të. Ato trajtojnë leuceminë mieloide akute dhe leuceminë limfoblastike akute, leuceminë mieloide kronike dhe leuceminë limfocitare kronike, sindromat mielodisplazike, anemitë e tipit aplastik dhe sëmundjet e trashëguara të gjakut (tasaleminë dhe drepanocitozën). Pranohet gjerësisht se kur flasim për përdorime alogjenike, dhuruesi më i mirë është pjesëtari i familjes dhe mundësisht vëllai i shëndetshëm.
Në vitin 1988 u bë transplanti i parë i qelizave staminale të gjakut të kordonit umbilikal (u përdorën qeliza staminale të vetë fëmijës) tek një fëmijë me tumor malinj të sistemit nervor. Që atëherë, përdorimet e qelizave staminale për vetë fëmijën janë rritur dhe kanë të bëjnë me sëmundjet e lartpërmendura si edhe tumore të sistemit nervor dhe sëmundje autoimune. Së fundmi, këto qeliza kanë filluar të përdoren për përdorimin autolog në rastet me paralizë cerebrale me rezultate shumë të mira.
Transplantet e suksesshme me qelizat staminale të gjakut të kordonit umbilikal, në vitin 1993 çuan në krijimin e bankave të para të gjakut të kordonit umbilikal, me qëllim krijimin e depozitave të transplanteve të ruajtura në të ftohtë me përdorim të menjëhershëm për transplant.
"E ardhmja e Mjekësisë"
Qelizat staminale përbëjnë materialin parësor për ndërtimin e indeve dhe organeve, dhe në të ardhmen priten përdorime edhe më të gjera. Kështu duket se këto qeliza do të përdoren për trajtimin e sëmundjes Parkinson, të paraplegjisë dhe tetraplegjisë nga dëmtimi i shtyllës kurrizore, të sëmundjes Alzhaimer, rigjenerimin e muskulit kardiak nga infarkti i miokardit, sëmundje të trashëguara si fibroza kistike, diabeti, artriti, rigjenerimi i epidermës (shtresa e sipërme e lëkurës), strukturës qelizore të mëlçisë dhe rigjenerimin e përgjithshëm të çdo indi dhe organi. Është e sigurt se qelizat staminale përbëjnë material biologjik të çmuar, dhe përdorimet e deritanishme të tyre kanë treguar se janë shpëtimtare për mijëra njerëz dhe të gjitha tregojnë se në të ardhmen përdorimi i tyre do zgjerohet.
*Këshilltare e Prindërve, Stem-Health, pjesë e Grupit HYGEIA
Biologe Molekulare, PhD
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)