Sulmuesi shqiptar merr trofeun individual për golat e shënuar
Besart Berisha merr zyrtarisht trofeun e “Kupës së Artë” në kampionatin australian, ku u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit. Kur ka mbetur për tu vendosur vetëm ekipi kampion i A-League, Federata Australiane e Futbollit organizoi mbrëmjen gala, ku ka shpërndarë çmimet e edicionit 2011-’12.
Brisbejn Roar, skuadra e sulmuesit shqiptar ka rrëmbyer plot pesë çmime, ndërsa Berisha u kënaq vetëm me trofeun e golashënuesit më të mirë, edhe pse ka qenë padyshim protagonist absolut në sezonin e tij të parë me skuadrën.
Ai ka realizuar 19 gola gjatë sezonit të rregullt, duke barazuar rekordin historik në futbollin australian, megjithatë kjo nuk i mjaftoi që të shpallej edhe lojtari më i mirë i A-League. Ky çmim u morr nga shoku i skuadrës së futbollistit të Kombëtares, gjermani Tomas Borish, ndërsa Berisha u rendit vetëm i dyti.
Borish mori 390 vota për paraqitjet e tij, edhe pse ka luajtur vetëm 17 ndeshje në këtë sezon, për shkak të një dëmtimi të rëndë në shpatull, ndërsa sulmuesi shqiptar mori 252 vota. Tashmë Besart Berisha ka shansin ta mbyllë sezonin në mënyrë perfekte, pasi Brisbejn Roar do të luajë në finalen e madhe për titullin australian më 22 prill, kundër fitueses së çiftit Sentrëll Kost Marlners-Përth Glori.