Të thana mbi miqësinë
Fjalët e urta për miqësinë janë mbledhur dhe botuar në një numër të revistës "Agimi". "Shekulli" po riboton këtë zgjedhje të komentuar nga Mustafa Kruja, kushtuar miqësisë.
Kruja gjuhëtar është ndoshta ana më me dritë e këtij njeriu, i njohur më së shumti si politikan, si ish-Kryeministri në kohën e pushtimit fashist. Vepra e tij prej shkencëtari modern është një kapitull më vetë i sapohapur.
Vitin e kaluar u botua vepra e tij gjuhësore "Nji studim analitik - Ç'na mëson Frangu i Bardhë me Fjalorin e vet", një studim krahasimtar ndërmjet gjuhës së Bardhit e shqipes së sotme.
1. "Miku i mirë, dera e parrizit", thuhet për një mik, i cili nuk kursen asgjë për të bërë fatbardhë në kohën më të vështirë.
2. "Më mirë një mik, se sa një çiflik", thohet sepse çifliku me kohë mund të shitet, ose edhe sa e ke nuk të sjell ndonji dobí, në vënd që miku, kur të kesh nevojë, të gjindet në ndihmë.
3. "Mikut të mirë, mos i u rëndo!". Kjo është një e vërtetë. Shumë herë ndodh që na e bjerrim ndonjë mik të dashur, tue e mërzitun ec e peja me ndonje nder, prandaj me të drejtë thotë fjala e vjetër mikut të mirë mos i u rëndo, sepse ai kur të shef në ngushticë të ndihmon vetë.
4. "Vëllazën jemi, por miq s'jemi". Kjo e thënë përdorohet për të treguar se njeriu, më të shumtën në këtë jetë, këshillohet me një mik të dashur se sa me një të afërt. Thuhet edhe për të treguar se vëllanë e ke për vlla, por jo për mik.
5. "Miku te rreziku". Kjo e thënë i jep vlerën e vërtetë fjalës mik, se mik është ai, që të gjindet në nevojë, kur ti të ndodhesh në rrezik, por jo ai që të shtihet mik, kur ti je mirë.
6. "Ari njihet në zjarr, miku në nevojë". Edhe kjo e thënë ka atë kuptim si e sipërmja.
7. "Miq për fiq" janë ata të cilët kur ti të kesh të gjinden gjithmonë përpara, por përkundra, kur ti të jesh në rrezik ose në ndonjë ngushticë, as nuk të duken më.
8. "Kur ka shporta fiq, e gjithë bota të bëhet mik". Kur ti të kesh, atëherë miq sa për të pasur dobina prej tejet ke sa të duash.
9. "Miqësija miqësi, kuleta le të lozin". Kjo e thënë e çmon vlerën që ka miqësija, që tregon, miqësija duhet mbajtun si miqësi, por jo për të pasur dobina prej saj. Kur ndodhesh në shoqëri me një mik, e shef, se ai gjithënjë do t'i pagojë shpenzimet e bëra bashkarisht, atëherë përdoron këtë të thënë.
10. "Miqësija e mirë, hesapin e dlirë". E ka atëherë, kur ti të kesh punë ose ndonjë marredhënje me mikun tënd jo që të përfitosh nga ajo, por për të fituar ndër lidhjes që ke me mikun.
11. "Ai mik që s'mund të të ndihmojë, si armik mund të të turpërojë". Thohet për atë lloj miku, i cili fjalë ka të mira e kur vjen koha për të t'u gjetur në ndihmë nuk të qaset, por përkundra, ty që ke pasur të gjithë shpresën tek ai, të turpëron.
12. "Mikut ankohu, armikut lavdërohu". Mikut mund t'ia tregosh nevojat dhe të vështirat e tua, se ai merr pjesë në shqetësimin tënd; por armikut lavdërohu, sepse atij po t'i qahesh, ai do të gëzohet.
13. "Sa rron kusija, rron dhe miqësija". Miqësija e vërtetë është kaq e fortë sa nuk shuhet kurrë, veç rron aq shumë sa kusija, e cila kurrë nuk çartet.
14. "Më mirë një armik me mënd, se sa një mik të marrë". Prej një armiku të mëndshëm e të urtë nuk është frika se të ndodh ndonjë e keqe, por një mik i marrë, mbasi t'a di, të di të gjithë mëndjen e zëmrën tënde, mund të të bëj dëm.5. "Ç'e do armikun, kur ke mikun" . Thuhet kur të vjen një e keqe nga ndonjë mik të marrë e të dobët.
16. "Perëndija më ruajtë prej mikut, se prej armikut ruhem vetë". Kjo thuhet për të treguar, se prej miqve njeriu vetë nuk mund të ruhet, veçse në ruejtë Perëndija, kurse nga armiqtë mundet vetë të ruhet.
17. "Armiku të shikon ndër këmbë, miku të shikon ndër sy", për të treguar, se armiku vetëm të keqen t'a do e miku t'a dishron të mirën.
18. "Miku i vjetër s'hidhet poshtë". Një mik të vjetër, të cilin për shumë kohë e ke pasur mik, nuk mundet njeriu t'a largojë aq shpejt, sepse nuk do ishte mik i mirë, nuk do t's kishte pasur mik për aq kohë.
*Marrë nga revista "Agimi"
**shekulli