Në një shpellë, në Afrikën e Jugut, janë gjetur dëshmi që tregojnë se parardhësi i njeriut, Homo Erektus, ka shfrytëzuar zjarrin para një milion vitesh, që është 300 mijë vjet më herët se që kishin konstatuar ekspertët.
Në një studim, të publikuar në Analet e Akademisë Kombëtare të Shkencave, theksohet se në qarqet shkencore nuk ka një konsensus rreth asaj se kur kushërinjtë tanë parahistorikë e “zbutën” zjarrin dhe filluan ta përdorin për të zier dhe për t’u ngrohur.
Gjurmët e një aktiviteti të tillë janë gjetur në Afrikë, Azi e Europë, por deri më tash shenjat më të hershme për përdorimin e kontrolluar të zjarrit, të zbuluara në Izrael, flisnin për periudhën para 700 mijë deri 800 mijë vjetësh.
Fragmente eshtrash të djegura të kafshëve dhe veglash të gurit, për të cilat besohet se janë edhe më të vjetra, janë gjetur në shkëmbinjtë e sendimentuar në shpellën e Vonderverkut në pjesën qendrore të Afrikës së Jugut, ku me rastin e gërmimeve të mëhershme janë zbuluar gjurmë të aktivitetit njerëzor.
Hulumtuesit kanë zbuluar “hirin bimor të ruajtur mirë dhe fragmente eshtrash të djegur”, që çon në përfundime se njeriu parahistorik ka ndezur zjarre të vogla në hyrje të shpellës.
Në disa fragmente janë gjetur gjurmë dekolorimi sipërfaqësor, tipike për zjarret e kontrolluara dhe jo pasojë e ndonjë zjarri që kishte përfshirë pyllin ose e ndonjë fenomeni natyror.
“Analiza tregon se njeriu ka filluar ta përdor zjarrin 300 mijë vjet më herët se ç’kishte menduar njeriu, që do të thotë se paraardhësit e njeriut modern, ndoshta që në kohën e Homo Erektusit kanë nisur të përdorin zjarrin”, thotë Michael Chasen, bashkautor i studimit dhe antropolog në Universitetin e Torontos.