1. FILLIMET E LËVIZJES KOMBËTARE
Gjendja në Shqipëri pas reformave të para centralizuese osmane
Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40 të shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në Perandorinë Osmane në vitet 30. Me këto reforma, në mënyrë të veçantë me likuidimin e sistemit të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të pronës private mbi tokën (më 1834), si edhe me masat për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila ishte dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi shtetëror anakronik, thellësisht shtypës e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të shtypur.
Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri qysh në vitet 30. Ato i dhanë një goditje të rëndë në radhë të parë shtresës së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore. Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë privatë të tokave, të lidhur me Portën e me politikën e saj centralizuese.
Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike e politike të vendit.
Reformat e para centralizuese u quajtën të pamjaftueshme, prandaj Mustafa Reshit pasha, pasi mori edhe pëlqimin e sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, që sapo kishte hipur në fron, përgatiti projektin e reformave, të njohura me emrin Tanzimat. Ato u shpallën nga Mustafa Reshit pasha me dekretin perandorak (Hati Humajun) të 3 nëntorit 1839, që mban emrin “dekreti i Gjylhanesë”. Me këtë akt shpalleshin këto reforma: garantohej paprekshmëria e jetës, e nderit dhe e pasurisë për të gjithë shtetasit osmanë, pa dallim feje; hiqej konfiskimi i pasurisë për ata që paditeshin në gjykatë dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë së pasurisë; vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe hiqej sistemi i sipërmarrjes së tyre (iltizami); futej shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i tij; shërbimi i regullt (nizami) do të zgjaste 4-5 vjet, ndërsa ai rezervist (redifi) 7 vjet.
Po të vlerësohet në përgjithësi, Tanzimati ishte një orvatje që ndërmorën qarqet qeveritare osmane për ta shpëtuar Perandorinë e tyre nga humnera ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur atë mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve evropiane. Prandaj Tanzimati është vlerësuar nga bashkëkohësit dhe nga studiues të sotëm si një përçapje që Perandoria Osmane po bënte për t’u shkëputur nga e kaluara e saj mesjetare-feudale dhe për të hyrë në rrugën e shndërrimit në një shtet modern.
Por gjithë këto masa ishin gjysmake dhe nuk mund të ndodhte ndryshe në kushtet kur Perandoria Osmane nuk ndërmori reforma rrënjësore për të ndryshuar sistemin e saj ekonomik të prapambetur gjysmëfeudal dhe regjimin politik mesjetar absolutist. Në të vërtetë reformat u katandisën në disa arnime borgjeze, që nuk mund ta ndryshonin gjendjen në Perandori. Megjithatë, nëse edhe këto masa gjysmake ishin të dobishme për Perandorinë Osmane, sepse mund të ndikonin në forcimin e sistemit të saj të centralizuar, në aftësinë për të përballuar lëvizjet çlirimtare dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, ato nuk qenë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës sunduese sulltaniste, por me logjikën e popullit të shtypur, jo nga pozitat e Portës së Lartë, por nga interesat e kombit të shtypur e të robëruar dhe të aspiratës së tij për ta ndryshuar këtë gjendje. Shqiptarët e vlerësuan Tanzimatin, jo në prizmin e fuqizimit të Perandorisë, por në këndvështrimin e vetëqeverisjes së Shqipërisë, jo sipas zhurmës së deklaratave të bujshme, por nga rezultatet e tij praktike dhe nga rrjedhojat që pati për popullin shqiptar.
Në të vërtetë Tanzimati nuk u dha shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare, nuk i njohu as si komb më vete, nuk dha asnjë mundësi për vetëqeverisje, madje ua mohoi përsëri të drejtën më elementare njerëzore për të shkruar dhe për të mësuar në shkolla gjuhën amtare. Ai i detyroi shqiptarët t’i nënshtroheshin administratës së huaj burokratike, shërbimit të rëndë e të detyrueshëm ushtarak, rriti më shumë peshën e taksave, që edhe deri atëherë ishte e rënduar dhe përgjithësisht çoi në keqësimin e gjendjes së tyre ekonomike e politike, në forcimin e zgjedhës nacionale turke mbi ta. Ato reforma, në dukje me karakter evropian, që u shpallën edhe nën trysninë e Fuqive të Mëdha (si barazia e gjithë shtetasve, gjithnjë si osmanllinj), nuk u vunë asnjëherë në jetë dhe nuk mund të realizoheshin pa ndryshime rrënjësore në sistemin ekonomik e politik të Perandorisë Osmane, të cilat sulltanët osmanë nuk ishin në gjendje t’i bënin.
Me zbatimin e reformës në fushën administrative, pushteti civil u nda nga ai ushtarak dhe qeverisja e vendit, që deri atëherë bëhej nga feudalët vendas, kaloi në duart e një aparati burokratik të centralizuar. Porta e Lartë nuk kishte më besim të funksionarët shqiptarë. Përvoja e viteve të kaluara kishte treguar se ata ishin të prirur drejt qeverisjes së krahinave në mënyrë autonome e drejt shkëputjes së plotë nga vartësia e Perandorisë Osmane. Prandaj ajo filloi zëvendësimin e tyre shkallë-shkallë me nëpunës të huaj. Në fillim u zëvendësuan qeveritarët e sanxhakëve shqiptarë, kadinjtë, myftinjtë, veçanërisht në ato krahina ku kishin shpërthyer përsëri lëvizje kryengritëse, që sapo ishin shtypur me armë. Kështu, në mjaft sanxhakë e sidomos në Shqipërinë e Jugut pushteti kaloi nga duart e qeveritarëve shqiptarë në ato të funksionarëve turq.
Administrata e re përbëhej nga nëpunës të huaj që nuk e dinin gjuhën e vendit dhe nuk i njihnin zakonet e traditat e popullit shqiptar. Meqenëse do të qëndronin në këto poste një periudhë të caktuar dhe meqë një pjesë e nëpunësve ose nuk paguheshin rregullisht ose duhej të siguronin rrogën nga të ardhurat lokale, ata përpiqeshin të grabisnin me të gjitha mënyrat popullsinë me anë taksash e gjobash, pa u përmbajtur as në përdorimin e forcës. Përveç kësaj, praktikohej gjerësisht ryshfeti, pa të cilin nuk mund të kryhej asnjë punë. Ai u jepej si nëpunësve të thjeshtë, ashtu edhe funksionarëve të organeve më të larta të Perandorisë Osmane. Edhe sistemi i mbledhjes së taksave me anë të iltizamit (sipërmarrjes), megjithëse u krijua një aparat i veçantë nëpunësish të financave, në praktikë nuk u hoq, por mbeti në fuqi për një kohë të gjatë, sepse u leverdiste funksionarëve të lartë të shtetit, që përfitonin e pasuroheshin me këto lloj spekulimesh.
Ndërsa në një varg qendrash administrative u grumbulluan me shumicë nëpunësit e huaj turq, disa zona, si Tiranën, Matin, Lezhën, Ulqinin, etj., Porta e Lartë i la, në vitet 40, ende në duart e oxhakëve të vendit, të cilët i paguanin arkës shtetërore në Stamboll një shumë të përgjithshme vjetore, të nxjerrë nga detyrimet në krahinat që administronin.
Krahas reformës administrative, Porta e Lartë mori masa për të vënë në jetë reformën ushtarake, e cila parashikonte çarmatimin e popullsisë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt. Në kuadrin e krijimit të kësaj ushtrie, Veziri i Madh, Mehmed Reshid pasha, që ishte ngarkuar me zbatimin e reformave në Shqipëri, filloi të rekrutonte ushtarë të rregullt (nizamë) nga mosha 15 deri në moshën 30-vjeçare. Të rekrutuarit bënin jetë kazerme dhe stërviteshin sipas rregullave të ushtrive evropiane. Ata e kryenin shërbimin ushtarak larg vendit të vet në kushte shumë të vështira. Vetëm një pjesë e tyre mund të kthehej e gjallë dhe pa u gjymtuar nga shërbimi i gjatë ushtarak në dhe të huaj. Më të shumtë ishin ata që vdisnin nga abuzimet e intendentëve, nga mungesa e ushqimit dhe e veshmbathjes dhe nga epidemitë, sesa ata që vriteshin në luftë.
Shërbimi rezervist (redif) bëhej zakonisht në vendlindjen e rezervistëve. Kjo u jepte atyre mundësi që në një kohë të caktuar, krahas shërbimit ushtarak, të merreshin edhe me bujqësi e me blegtori.
Reforma ushtarake u shoqërua edhe me tatime e taksa të reja “të jashtëzakonshme”, që shërbenin për ushqimin dhe për veshjen e ushtarëve nizamë. Por edhe kjo reformë nuk u zbatua kudo dhe menjëherë. Ushtria e rregullt u vendos në qytete, ku mbaheshin garnizone ushtarake. Në Manastir dhe në Janinë u grumbulluan forca të mëdha, me anë të të cilave Porta ushtronte një trysni të vazhdueshme mbi trevat shqiptare.
Ndërsa nga njëra anë Stambolli organizonte ushtrinë e rregullt, nga ana tjetër vazhdonte të përdorte repartet e parregullta, të rekrutuara nga krerë feudalë e bajraktarë midis malësorëve për t’i dërguar në frontet e luftës me shtete të tjera ose për të shtypur kryengritjet brenda e jashtë Shqipërisë. Në këto raste Porta e Lartë synonte jo vetëm të përfitonte nga ndihma e tyre ushtarake, por edhe t’i largonte nga Shqipëria ku zienin kryengritjet e t’i neutralizonte këto forca të rrezikshme për të.
Me reformat e periudhës së Tanzimatit Porta e Lartë u kishte njohur kombësive të Perandorisë Osmane të drejtën të merrnin arsim në gjuhën amtare në shkollat publike. Por ajo vijonte të barazonte kombësinë me fenë. Kështu, myslimanët e Perandorisë, midis të cilëve edhe shqiptarët, ajo vazhdoi edhe pas kësaj t’i quante “turq”, ndërsa ortodoksët, qofshin këta shqiptarë, bullgarë, serbë a vllehë, i quante “grekë” ose “rumë” dhe i kishte lënë nën administrimin fetar e kulturor të Patrikanës greke të Stambollit. Si kombësi më vete quheshin edhe katolikët ose “latinët” e Perandorisë.
Shqiptarëve të ndarë në myslimanë, ortodoksë e katolikë, duke mos bërë pjesë në një bashkësi të vetme fetare dhe duke mos u njohur kështu si një kombësi më vete, nuk u jepej mundësia të lëvronin lirisht gjuhën e tyre amtare. Ata detyroheshin të kishin arsimin sipas fesë së tyre turqisht, greqisht ose italisht. Në përputhje me këtë politikë, pas shpalljes së dekreteve të Tanzimatit në Shqipëri u rrit numri i shkollave në gjuhë të huaj. Shkolla shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie) në gjuhën turke u hapën në krahina të ndryshme të vendit; në Shqipërinë e Jugut u rrit edhe numri i shkollave laike në gjuhën greke për popullsinë ortodokse, të cilat ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë, ndërsa në veri, ndonëse më pak, u rrit numri i shkollave katolike që drejtoheshin nga kleri ose nga disa mësues privatë në Shkodër. Megjithëse përhapnin njohuri të dobishme dhe ndihmonin në arsimimin e një pjese të fëmijëve, këto shkolla, përveç atyre që drejtoheshin nga mësues privatë, përshkoheshin nga një frymë fanatizmi dhe intolerance fetare, nuk shërbenin për afirmimin kombëtar të shqiptarëve të feve të ndryshme, por nxisnin dasinë fetare dhe u shërbenin politikës së shteteve që i mbanin ato dhe synimeve të tyre për asimilimin e shqiptarëve.
Reformat, formalisht, parashikonin barazinë e shtetasve pavarësisht nga feja e tyre. Por në të vërtetë paria sunduese feudale osmane vijoi ta ruante pozitën e saj të privilegjuar kundrejt popullsisë së krishterë. Pabarazia juridike e popullsisë së krishterë shprehej, përveç të tjerave, në pagimin e një takse të veçantë për gjithë meshkujt e krishterë mbi 12 vjeç (xhizje).
Vetë sulltani e rrethi i tij familjar, si edhe përfaqësuesit e tjerë të klasës feudale osmane, nxirrnin përfitime duke shkelur parimet e shpallura nga reformat dhe duke ruajtur praktikën e vjetër të abuzimeve, siç ishte veçanërisht shitja e posteve qeveritare. Sulltani e familja e tij ruajtën në Shqipëri për një kohë të gjatë një varg privilegjesh feudale. Kështu, një pjesë e mirë e të ardhurave të sanxhakut të Ohrit, ku përfshiheshin krahina të tëra shqiptare, vijuan t’i shkonin si të ardhura private sulltanes-nënë, kurse sulltanit i shkonin të ardhurat nga qiraja e Bezistenit? në pazarin e Shkodrës dhe nga shitja e së drejtës së peshkimit po në këtë qytet. Madje, gabelët (arixhinjtë) e Myzeqesë edhe pas shpalljes së reformave vazhduan të quheshin të gjithë skllevër të sulltanit dhe shërbimet e tyre u shiteshin për vit (nga ana e tij) të interesuarve kundrejt një shumë të caktuar.
Fillimet e ideologjisë e të kulturës kombëtare
Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare dhe ekonomiko-shoqërore me ta.
Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të rëndësishme e në vepra shkencore e artistike ideologët dhe shkrimtarët e parë të Rilindjes, si Naum Veqilharxhi (1797-1854), Jeronim de Rada (1814-1903) etj. Kjo veprimtari synonte, me anën e përhapjes së ideve e të kulturës kombëtare, të forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore në luftë për lirinë, për tërësinë territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare.
Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe shtypja ekonomike e politike osmane bënë që ideologjia e kultura kombëtare të zhvilloheshin me vështirësi e në përmasa të kufizuara brenda vendit. Ato gjetën kushte më të përshtatshme zhvillimi jashtë atdheut, në kryeqytetin e Perandorisë, në Stamboll, në Itali, në shtetet ballkanike etj. Në këto vende kishin filluar të përhapeshin idetë e Revolucionit francez (1789-1794), i cili, si një revolucion i fuqishëm demokratik, i kishte dhënë një goditje të rëndë regjimit feudal absolutist e ideologjisë së tij në Evropë dhe kishte shpallur e kishte përhapur idetë e mëdha të lirisë e të kombësisë. Këto ide kishin gjetur mishërimin e tyre edhe në revolucionet çlirimtare në Serbi, në Greqi e në Rumani. Idetë e reja kishin ndikuar mbi intelektualë dhe tregtarë shqiptarë që u njohën me to në qytete të ndryshme të Evropës dhe filluan luftën kundër ideologjisë mesjetare-klerikale të Perandorisë teokratike të sulltanëve-kalifë e të Patrikanës ortodokse të Stambollit, si dhe kundër zgjedhës kombëtare të sundimtarëve osmanë.
Idetë kombëtare u bënë jehonë kryengritjeve popullore kundër Tanzimatit, por nuk arritën ende në këtë periudhë të formuloheshin në mënyrë të plotë në një program tërësor politik të lëvizjes kombëtare. Ato u shprehën jo aq në traktate politike, në memorandume ose nëpërmjet shtypit, sesa në vepra letrare e në studime për popullin shqiptar, për historinë, gjuhën e kulturën e tij. Me shkrimet e tyre rilindësit e parë luftuan për të shtuar dashurinë për vendin, për të ngritur më tej ndërgjegjen kombëtare të popullit, duke lartësuar traditat e mëdha patriotike të së kaluarës e sidomos të epokës së Skënderbeut dhe kulturën e pasur popullore; ata i kushtuan një kujdes të veçantë gjuhës amtare e shkollës shqipe si mjete jo vetëm për të nxjerrë vendin nga errësira mesjetare, por edhe për të afirmuar individualitetin e vetëqenien kombëtare të shqiptarëve.
Naum Veqilharxhi formuloi idetë e para për rrugët e çlirimit të kombit shqiptar. Si iluminist e atdhetar i shquar punoi për të përhapur diturinë e shkollën kombëtare në Shqipëri, të cilat i quante mjete të rëndësishme për emancipimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Jeronim de Rada, nga arbëreshët e Italisë, e ripunoi “Milosaon” i ndikuar drejtpërdrejt nga lëvizjet kryengritëse të viteve 30. Ai dalloi tek ato etapën e re që shënuan për lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar dhe nxori prej tyre përfundimin se tanimë “erdhi dita e Arbrit”, që tingëllonte si një thirrje për t’i nxitur shqiptarët të vijonin luftën kundër sundimtarëve të huaj.
Kthesa që shënuan kryengritjet e viteve 30-40 në lëvizjen çlirimtare shqiptare gjeti pasqyrim edhe në krijimtarinë e shkrimtarit arbëresh Vinçenc Dorsa, i cili shkruante, më 1847, se Shqipëria kishte hyrë tanimë në epokën e Rilindjes dhe se ajo besonte që do të çlirohej së shpejti.
Duke e kuptuar rolin e madh të përdorimit të gjuhës amtare për zhvillimin e vendit, rilindësit i dhanë rëndësi mësimit e shkrimit të saj dhe përhapjes së arsimit shqip me një alfabet të përbashkët. Duke u nisur nga mendimi shkencor se gjuha është e para ndër shenjat themelore dalluese të kombit, me njësimin e alfabetit ata synonin njësimin e gjuhës, që do të çonte në forcimin e njësisë kombëtare. Prandaj rilindësit e parë, si dhe të tjerët që i pasuan, ishin ideologë të çlirimit kombëtar e mësues dhe hartuan vepra shkencore e letrare si edhe tekste shkollore.
Tiparet e reja të lëvizjeve çlirimtare kundërosmane
Me zbatimin e Tanzimatit u vendos mbi popullin shqiptar shtypja e drejtpërdrejtë dhe e egër e sundimtarëve osmanë. Administrata burokratike e përbërë nga nëpunës me kombësi të huaj, grabitqarë e të pangopur, detyrimet e rënda fiskale, shërbimi i rregullt dhe i zgjatur ushtarak, gjyqet e korruptuara etj., e rëndonin zgjedhën kombëtare dhe e shtonin shtypjen ekonomike e politike mbi pjesën më të madhe të popullsisë.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin detyrime e taksa të rënda që vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet e spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave shtetërore, në një kohë kur ekonominë e popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak, që i rrëmbente krahët më të aftë për punë.
Me administratën e re u ndesh edhe fshatarësia e disa zonave malore, që gëzonte të drejta vetëqeverisjeje të fituara me luftë. Mosnjohja e këtyre të drejtave dhe orvatjet për të zbatuar sistemin tatimor e rekrutimin e detyruar ushtarak u sillnin këtyre krahinave një shtypje e shfrytëzim ekonomik që nuk e kishin njohur më parë.
Nga reforma prekeshin edhe shtresa të tjera të popullsisë: spahinjtë e dikurshëm dhe krerët e esnafëve, të cilët kishin humbur të drejtat e privilegjet që u siguronte sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak; një pjesë e bajraktarëve, e kapedanëve dhe e bylykbashëve, të cilët nuk e gëzonin më të drejtën e rekrutimit të ushtarëve me rrogë që u sillte fitime; çifligarët e goditur nga Porta si dhe ata që ishin lidhur me tregun kërkonin zhvillimin e tij dhe ishin të pakënaqur nga pengesat burokratike të administratës së re; pjesa më e madhe e borgjezisë, që u zhgënjye shumë shpejt nga reformat të cilat, jo vetëm nuk vendosën rregullin e qetësinë e dëshiruar dhe nuk zhdukën pengesat e brendshme për zhvillimin e lirë të tregtisë e të industrisë së tregut kombëtar, por edhe e bënë atë objekt të abuzimeve grabitqare të administratës së re.
Si pasojë, pakënaqësia ndaj reformave përfshiu shtresat më të ndryshme shoqërore, pjesën më të madhe të popullsisë. Kjo pakënaqësi erdhi duke u rritur shkallë-shkallë me orvatjet që bëri Porta e Lartë për të zbatuar reformat në Shqipëri dhe u shndërrua në kryengritje të armatosura që vijuan njëra pas tjetrës për disa dhjetëra vjet. Në këto kryengritje morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime në përmasat e në organizimin e saj. U krijua kështu një front i gjerë kundërosman, i cili përbënte tiparin kryesor të kthesës që ishte bërë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar.
Pas goditjeve ekonomike e politike që krerët feudalë shqiptarë pësuan në vitet 1822-1831, ata nuk qenë më në gjendje as të organizonin dhe as të udhëhiqnin kryengritjet kundër sundimit osman. Në udhëheqje të lëvizjes kryengritëse, gjatë viteve 30-40, krahas krerëve çifligarë dolën përfaqësues të borgjezisë qytetare e të fshatarësisë. Ky ishte një tipar tjetër i ri që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur.
Ndryshime thelbësore ndodhën edhe në përmbajtjen e në karakterin e kërkesave të kryengritjeve të fillimeve të Rilindjes Kombëtare, të viteve 30-40 të shek. XIX. Lufta për të përjashtuar nga zbatimi i politikës së centralizmit burokratik viset shqiptare shprehte në fakt kërkesën për njohjen e kombësisë shqiptare si kombësi më vete, për trajtimin e veçantë të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, që nënkuptonte synimin për vetëqeverisje në shkallë kombëtare e jo më lokale-krahinore. Kurse në rastet, qoftë edhe të veçanta, siç ishte ai i Kryengritjes së Dervish Carës të viteve 1843-1844 e ndonjë tjetër, kur kryengritësit i referoheshin shembullit të organizimit të shteteve fqinje, shpreheshin haptazi pretendimet për autonominë e vendit të tyre.
Forcat e shtresat e ndryshme shoqërore u jepnin këtyre kërkesave përmbajtje të ndryshme. Në lëvizje u aktivizuan edhe ato shtresa, të cilat kishin humbur privilegjet e pozitat që gëzonin në sistemin feudal-ushtarak e që synonin t’i rifitonin ato. Lëvizja e tyre kishte karakter të kufizuar e konservator, sepse synonte ta kthente vendin prapa, në të kaluarën. Por pjesa më e madhe e popullsisë që mori pjesë në kryengritjet përbëhej nga masat qytetare e fshatare, të cilat në administrimin e vendit nga shqiptarët shihnin çlirimin e tyre nga zgjedha e rëndë kombëtare e administratës së huaj burokratike osmane dhe nga shtypja e egër e saj.
Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite, të formuloheshin në mënyrë të përcaktuar, në formën e një programi të vetëm dhe të paraqiteshin në emër të të gjithë popullit shqiptar, sepse mungonte një udhëheqje e formuar politikisht dhe një organizatë a një qendër e vetme drejtuese, që të bashkërendonte lëvizjet e veçanta, t’i shkrinte ato në një lëvizje të përgjithshme e t’i jepte asaj një program të përbashkët kombëtar. Megjithatë, siç është pranuar me të drejtë nga historiografia e sotme shqiptare, kërkesa më e shpeshtë e këtyre kryengritjeve për një status të veçantë të trojeve shqiptare, duke i dalluar e duke i veçuar nga territoret e tjera të Perandorisë Osmane, përmbante në “embrion”, në formulimin e saj fillestar, kërkesën e administrimit autonom të Shqipërisë, të autonomisë territoriale-administrative të saj, duke ua lënë atë në dorë “krerëve” të vendit.
Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën në fillim karakter lokal, por, meqenëse shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë e për të njëjtat shkaqe, drejtoheshin kundër një armiku të përbashkët dhe kishin kërkesa të njëllojta. Ato u shndërruan dora-dorës në kryengritje të gjera të fuqishme duke përfshirë krahina të tëra të vendit. Për herë të parë u bënë përpjekje për kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (më 1834), që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt bashkimit. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet vatrave të veçanta të kryengritjeve dhe solidariteti ndërmjet popullsisë së trevave të ndryshme, tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.
Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike dhe më të kohës. Me zgjerimin e luftës, për të përballuar forcat e mëdha armike dhe për të bashkërenduar veprimet luftarake u organizuan kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të kryengritësve, disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë edhe më parë, morën përmbajtje të re. Krahas përfaqësuesve të parisë çifligare, në to merrnin pjesë tani edhe përfaqësues të shtresave më të gjera të popullsisë, të vegjëlisë qytetare e fshatare, të pronarëve të vegjël të tokave, kryepleq e nëpunës të vegjël, shumica e të cilëve ishin pak të njohur. Përveç kësaj, besëlidhjet e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe në disa raste morën karakter ndërkrahinor, siç ishin Besëlidhja e nëntë krahinave të Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834, Këshilli i Përkohshëm në Shkodër (1833-1835), Kuvendi i Madh Ndërkrahinor i Mesaplikut (1847), i cili, duke krijuar Lidhjen Kombëtare Shqiptare dhe organin e saj Komitetin Kombëtar, mund të shihet si një organizëm që synonte të merrte karakterin e një forumi me përmasa kombëtare.
Një rol gjithnjë e më të dukshëm filluan të luanin në këto kryengritje qytetet e sidomos ato kryesore, si Shkodra, Berati, Prizreni, Gjakova, Shkupi e Elbasani, të cilat u bënë qendra të rëndësishme të këtyre lëvizjeve. Kjo dëshmonte për peshën gjithnjë e më të madhe që filluan të kishin qytetet në jetën ekonomike e politike të vendit.
Të zhvilluara në kohën, kur të shqiptarët ishte formuar tanimë një vetëdije politike e kombëtare, kryengritjet e viteve 30 e 40 nuk mund të mos merrnin tipare të reja, nacionalçlirimtare. Dëshmi e kësaj vetëdijeje të shqiptarëve ishte edhe përkrahja që ata u dhanë revolucioneve nacionale në Principatat Rumune dhe në Greqi, në vitet 20, në të cilat dhanë një kontribut të çmuar. Mjaft e gjerë ishte pjesëmarrja e shqiptarëve të kolonisë së Rumanisë dhe jo vetëm e atyre, por edhe e të tjerëve të ardhur nga Shqipëria, e veçanërisht nga trevat e saj jugore, në kryengritjen që shpërtheu në Principatat Rumune në vitin 1821. Disa prej tyre kishin marrë pjesë edhe në Revolucionin serb të vitit 1815. Është një fakt i njohur, tanimë, se Naum Veqilharxhi, një nga personalitetet më të shquara të Rilindjes Shqiptare, mori pjesë në kryengritjen e vitit 1821 në Vllahi dhe në Moldavi qysh në fillim të saj, ndihmoi në organizimin e revoltës dhe ishte i pranishëm, si komandant ushtarak, gjatë disa veprimeve luftarake që u zhvilluan kundër forcave osmane. Rol të veçantë, si organizator dhe komandant ushtarak, në kryengritjen e vitit 1821 në Principatat Rumune luajti iluministi tjetër i njohur shqiptar, Konstandin Duka.
Shqiptarët përbënin një forcë të rëndësishme luftarake në trupat e eteristëve*, të komanduar nga princi grek Aleksandër Ipsilanti, si edhe në ato të rumunit Tudor Vladimiresku që luftuan trimërisht në radhët e kryengritësve të drejtuar nga komandantët shqiptarë, Haxhi Prodani e kapiten Mihallaqi. Të shumtë ishin shqiptarët që u vranë në betejat që u zhvilluan gjatë kësaj kryengritjeje e sidomos në atë të Skulenit, pas së cilës trupat e tyre u hodhën në lumin Pruth. Edhe masakra që ushtria osmane ndërmori në Bukuresht ndaj forcave kryengritëse, në gusht të vitit 1821, ishte drejtuar kundër shqiptarëve që morën pjesë në revoltën kundërosmane.
Shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e Principatave Rumune jo si mercenarë, por si luftëtarë që ishin të ndërgjegjshëm se, duke kontribuar në çlirimin e popullit rumun nga sundimtarët osmanë, të cilët mbanin të robëruar gjithë popujt e Ballkanit, do të jepnin ndihmesën e tyre edhe në çështjen e çlirimit kombëtar të popullit shqiptar. Pikërisht pse vepruan si një forcë e ndërgjegjshme politikisht në aktet e kryengritjes së Principatave Rumune, shqiptarët përmenden krahas grupeve të tjera etnike që morën pjesë në lëvizje. Edhe frymëzuesit e lëvizjes, eteristët, në thirrjen që u drejtuan shqiptarëve, grekëve, vllahomoldavëve, bullgarëve, serbëve, maqedonëve etj. qysh në fillim të kryengritjes u kujtonin atyre se kjo luftë bëhej për çlirimin e gjithë popujve të Ballkanit dhe njëherazi të atdheut të tyre, se është atdheu i tyre i robëruar ai që u bën thirrje të ngrihen kundër sundimtarëve të huaj osmanë.
Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive me rol të veçantë si në përgatitjen e kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit në përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër ushtrive osmane u dha dorë eteristëve të shpërthenin kryengritjen në mars të vitit 1821, shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje. Qysh në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të tëra shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan Athinën. Përgjithësisht gjatë fazës së parë të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë, duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë (arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin qytetin e Tripolicës, për çlirimin e të cilit patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm pasi shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në masë nga ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë në veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë, të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët gjatë periudhës së parë të Revolucionit grek mbajtën barrën kryesore të luftës në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi të marshonte drejt Athinës për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët më 1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në vitin 1825.
Po kështu, pjesa më e madhe e feudalëve shqiptarë të Toskërisë nuk pranoi të bashkëpunonte me Portën e Lartë në shtypjen e kryengritjes greke. Ata i kumtuan të dërguarve të Stambollit se do të hynin në ushtrinë osmane vetëm në qoftë se do të rrezikoheshin territoret e Shqipërisë Jugore. Për shkak të këtij qëndrimi të shqiptarëve dështoi fushata ushtarake osmane kundër Revolucionit grek në shkurt-qershor të vitit 1821. Dështuan gjithashtu përpjekjet që Hurshid Pasha bëri në vitin 1822, pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, për të mobilizuar shqiptarët në ushtrinë osmane dhe për t’i hedhur ata kundër Revolucionit grek. Dezertimi i ushtarëve shqiptarë vazhdoi edhe gjatë fushatës së Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Revolucionit grek në vitin 1827. Megjithatë, qysh në periudhën e Revolucionit grek, shqiptarët u ndeshën me qëndrimet shoviniste të udhëheqësve grekë ndaj tyre dhe territoreve të Shqipërisë. Ndërsa popullsia myslimane shqiptare iu nënshtrua atëherë masakrave nga forcat ushtarake të Revolucionit grek.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në revolucionet në Principatat Rumune e në Greqi dhe kontributi që dhanë ato në luftën për çlirimin e popujve rumun e grekë ishin dëshmi jo vetëm e ndjenjave miqësore ndaj popujve fqinjë, por edhe dëshmi e aspiratave të tyre liridashëse. Këto aspirata dëshmojnë njëherazi se shqiptarët, si popull, po hynin në epokën e re të Rilindjes me një vetëdije të përcaktuar politike, me ideale kombëtare e çlirimtare, të cilat nuk mund të mos shfaqeshin edhe në kërkesat, në synimet, në shkallën e organizimit dhe përgjithësisht në karakterin e kryengritjeve të viteve 30-40 të shek. XIX