Arratisja si në film hollivudian përfundon si një komedi
Gjithçka nisi si në një film të Hollivudit.
Një i dënuar për vrasje në një burg të Rusisë arriti të arratisej me anë të një helikopteri të rrëmbyer, siç shihet në foton poshtë. Por rusi Alexei Shestakov nuk kaloi shumë në liri pasi gjithçka përfundoi si komedi kur ai u arrestua në një taksi.
25 vjeçari, që ishte dënuar me 24 vjet për vrasje dhe vjedhje, doli nga burgu i sigurisë së lartë duke u kacavjerrë në litarin që i hodhën nga helikopteri.
Bashkëpunëtorët e tij, një burrë dhe një grua, kishin rrëmbyer një helikopter dhe detyruan pilotin që të fluturonte mbi burg.
Rojet e burgut qëlluan disa herë me plumba drejt helikopterit, por pa shkaktuar ndonjë dëm.
Helikopteri, që ishte prenotuar për një delegacion biznesi, u gjet më vonë i braktisur në një rrugë në Vologda. Piloti u gjet i lidhur disa kilometra më larg.
Por fati i Shestakovit mbaroi këtu. Ai hipi në një taksi, të cilën policia shumë shpejt e rrethoi, duke arrestuar të dënuarin.
Ka pasur disa arratisje të suksesshme me helikopter nga burgjet në Europë, përfshi atë në Greqi në vitin 2009.
Vasilis Paleokostas, një grabitës bankash dhe shqiptari Alket Rizaj u morën me një helikopter nga burgu në Athinë në shkurt të vitit 2009.
Të dy ishin arratisur në të njëjtën mënyrë nga i njëjti burg në qershor të vitit 2006.