[Nga Kevin Heldman/b]
Intervistova akademiken Jana Arsovska, një profesore në Kolegjin John Jay, e cila ka pas punuar për Interpolin dhe është eksperte e krimit shqiptar dhe baltik. Ajo po shkruan një libër për bosët e krimit Acik Can, vëllezërit Dacic, (Hamdija e Ljutivia) Naser Kelmendin dhe rrjetet e tyre të gjera; emigrantët kinezë që përdorin Shqipërinë si urë; dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila prodhoi shumë të rinj që tani dinë të vrasin, por nuk kanë më një luftë për të luftuar. Në libër ajo dokumenton sasi të mëdha kokaine të kapura nëpër anije dhe identifikon kumbarët e njerëzve që përbëjnë listën most-wanted me klubet e hotelet, bizneset dhe lidhjet qeveritare. Njerëz si Princ Dobroshi, që i bëri fytyrës operacion plastik dhe u arratis nga burgu; dhe Dhimiter Harizaj, që u arrestua në mars nën akuzat e përfshirjes në rrjetin ndërkombëtar të drogës. Arresti erdhi pas kapjes së 200 kg kokainë, e cila u gjet e përzier me vaj palme që vinte nga Kolumbia dhe që iu nënshtrua rrugës së drogës nga Kolumbia, Spanja, Belgjika, Austria, Slovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia për të përfunduar në Shqipëri. Ishte sasia më e madhe e kokainës së kapur në historinë e Shqipërisë.
Krasniqët, sipas përllogaritjeve të saj, janë kriminelë të vegjël. Dhe nuk janë as të sofistikuar. Por ajo pranon se janë pjesë e rrjetit: Krasniqët, kriminelët e Detroit-it dhe një bandë e shpartalluar së fundmi në New Jersey.
Sigurisht disa lidhje me kulturën kriminale shqiptare janë më të forta se të tjerat. Fillo me repistët-kodoshët e rinj në You Tube me Lamborghini-s dhe disqet; që pozojnë në shesh- parkingjet në Bronx, Yonkers apo në 15 Mile Road jashtë Detroit-it; që veshin shalle me shqiponjën dykrenëshe; vringëllijnë kallashnikovët, ose bëjnë sikur; pinë hashash dhe bërtasin se kush është shqiptar me gjithëmend e kush jo. Ke pastaj grupet hip-hop, si The Bloody Alboz, TBA, Uptown Affiliates dhe Unikkatil, emrat e të cilëve janë familjarë për shqiptarët e rinj në rrugë dhe klube. Por edhe biznesmenët mesoburra, të lidhur me mafian shqiptare: Alex Rudaj dhe tipat e Korporatës së tij. Rudaj ende është në burg, ku s’hap gojë, sipas FBI-së. Ai i bëri paratë e tij e më pas u kyç pas operacionit të FBI-së Kali i Trojës. Për të mos harruar ndërmjetësit, bosë të vegjël e të pasofistikuar me anëtarët e bandës së tyre të përzier. Në vitin 2009 dy pilotë të moshuar u kapën tek po transportonin 10 kile kokainë nga Florida në Ocean City në këmbim të 15 000 USD. Ata ranë në rrjetën e një hetimi katërvjeçar mbi ndërmarrjet kriminale ballkanike. Të paktën 26 vetë u akuzuan për shpërndarje apo përpjekje për të shpërndarë heroinë, kokainë, armë, methamfetaminë, ekstazi, cigare e deri te atletiket joorigjinale.
Qendra e rrjetit ishte në Paterson, New Jersey (ku u arratis Merko nga Detroit-i, për t’u kapur më vonë) dhe lidhjet e saj ishin me Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Serbinë, Kanadanë, Holandën, Brooklyn-in dhe Staten Island. Të dyshuarit përdornin avionë për të importuar ekstazi, oksikontin dhe marijaunë nga Kanadaja dhe kokainë nga Florida, thanë autoritetet. Gjithashtu, ata po planifikonin të importonin ekstazi nga Holanda dhe heroinë nga Serbia e Turqia. FBI infiltroi në rrjet dhe bleu 300 mijë kokrra ekstazi, 2.5 kg heroinë dhe një revole 9 mm, dy armë automatike dhe bizhuteri të vjedhura. Përgjime zanore dhe video në restorantin Royal Warsaw dhe hotelin Borgata në Atlantic City ndihmuan për arrestimet.
Koka e grupit ishin Myfit (Mike) Dika, 44 vjeç, i arrestuar në një restorant shqiptar në Toronto; Kujtim (Timmy) Lika, 45, ende në kërkim dhe në listën Most Wanted të FBI-së për New Jeresy-n dhe, siç thuhet, kushëri i një tjetër Like që vuri një çmim prej 400 mijë USD për kokën e një prokurori nga New Yorku) dhe Gazmir Gjoka, 56 vjeç, që u arrestua në Shqipëri. Grupi përfshinte gjithashtu dikë që quhej Rodan Kote, i cili iu dorëzua FBI-së në aeroportin e Newark-ut.
Bëhej fjalë për një operacion global, por ishte gjithashtu pabesueshëm lokal. Jana Arsovska tha se një numër nga studentët e saj shqiptarë kanë padi, akuza apo lidhje të ndonjë lloji tjetër me anëtarët e organizatës nga New Jersey.
Ke gjithashtu ujqit e vetmuar dhe kriminelët me pajtim, një kombinim i frikshëm i aftësive të mëdha dhe paparashikueshmërisë totale. Ky tip ilustrohet nga Din Çelaj. Tani 27 vjeç, ai ia filloi në rrugën e krimit kur ishte 10 vjeç, për t’i ndërtuar vetes një listë që përfshin shantazh, shitje armësh, droge, vjedhje me dhunë, vjedhje dhe shitje makinash luksoze, pengmarrje, mashtrim bankar, mashtrim me sigurime, mashtrim me karta krediti, rezistencë ndaj arrestimit, pushtim shtëpie, të shtëna me armë në publik në një ndjekje me makinë dhe plumba ndaj një kamere trafiku në Bronx, pasi u fut me të kuqe. Kur ishte 16 vjeç badigardi i strip club-it Scores nuk e la të futej brenda. Ai telefonoi ca shokë, të cilët bllokuan trafikun në Queensboro Bridge, ndërsa Çelaj u var nga hekurat e urës me një automatik Uzi dhe qëlloi drejt klubit me 6 plumba. Në vitin 2009 ai rekrutoi një polic nga New Yorku, Darren Moonanto, për ta ndihmuar që të bastiste shpërndarësit e drogës. Llogarit edhe 17-vjeçarët shqiptarë të qyteteve, shumica e të cilëve ndihen të izoluar dhe të tëhuajëzuar. Ata janë rekrutë idealë për jetën kriminale. Një adoleshent, të cilin e njoh personalisht, është në një shkollë të ndërmjetme (për nxënësit që kanë probleme në shkollë). Ai është i vetmi fëmijë i bardhë atje. Ndoshta ai do t’i bashkohet ndonjë bande a diçka e tillë; ndoshta jo një bande me emër, por veç një grushti shokësh që veprojnë së bashku dhe do të ketë një sherr për një vajzë, apo për një borxh të pashlyer, ose do të takojë dikë me lidhje dhe do të përballet me një mundësi për të fituar para pa patur nevojë të punojë në një fast food dhe ai do ta pranojë.
Shqipëria, rasti special
Kam shkuar në çdo bar, kafene, furrë-buke dhe klub social në Bronx, Queens, Staten Island dhe Detroit që ka lidhje me Ballkanin. I dërgova letër një shqiptari që po shantazhohej nga dy shqiptarë të tjerë dhe që i trokitën në derë të armatosur me kërcënimin se do t’i përdhunonin gruan. Të dy ishin ushtarë të bandës së Krasniqëve. Burri qëlloi njërin për vdekje dhe plagosi tjetrin (vëllai i tij është në listën Most wanted të FBI). Kam telefonuar kaq shumë numra jashtë përdorimi, kam parë kaq shumë pseudonime ballkanike, kam shqiptuar keq shumë emra dhe lexuar numra pune që përdoreshin nga disa njerëz. Jam kërcënuar. Jam nxjerrë jashtë dhe më është mbyllur telefoni. Më është thënë kaq herë, sigurisht pasi kam filluar të bëj pyetje, se klubi në të cilin jam “është privat”. Dhe sigurisht më kanë injoruar. Më kanë pyetur vazhdimisht se pse interesohem për shqiptarët; burra muskulozë më kanë thënë “who gives a fuck about the Balkans.” Kam biseduar me një motorist shqiptar mbushur me tatuazhe në 3 të mëngjesit, ndërkohë që po vriste orët me nja 20 motoristë të tjerë në një trotuar në Queens. Doli se kushëriri i tij ishte një ndër të paditurit në gjyqin e pritshëm të New York-ut. Ai ishte nga Bronx-i dhe në kraholin e lëkurtë kishte të stampuar shqiponjën jo shumë larg nga stema RIP (u prefsh në paqe!) Ai ishte aq njerëzor sa të fliste me mua, ndryshe nga një djalë në një bar që kishte frikë ose ishte shumë krenar për të pranuar se ishte shqiptar. Një shqiptar më ka falenderuar për atë që po bëj dhe një tjetër mesoburrë po shqiptar më tha se në njëfarë mënyre do të shpërblehem për gjitha këto ecejake nëpër burgje, rrugë, klube dhe komplekse banimi. Kam takuar plakun më të këndshëm në botë, një pronar shitoreje në Bronx me emrin Gjin Noku, i cili shet kaseta video, të cilat askush nuk i blen më. Më uli në karrigen e tij dhe më rrëfeu me durim historinë, politikën dhe kulturën shqiptare. Më tha se do të më tregonte gjithçka, duke përdorur edhe emrin, sepse atij s’i bëhej vonë. Më tregoi për gjithçka kish dëgjuar e parë dhe rreth kriminelëve të rinj shqiptarë. “Ata kanë vuajtur dhe një ditë duan të bëhen të pasur”, më tha. Më tregoi se për të emigruar në Amerikë ilegalisht duhen 20 mijë USD, duke shtuar se Amerika është edhe vetë e varfër, gjithsesi. Noku tha se e shoqja përfitonte kemp pas 11 shtatorit, pasi u sëmur gjatë pastrimit të zonës së Kullave dhe se i biri nuk dihet se si, por ishte përzier me jetën e krimit. Ai është një djalë i ri i pafajshëm, student në Fordham University. I biri, Spartak Noku, u arrestua - diçka që kishte të bënte me ekstazinë. I ati i shkroi Michael Bloomberg-ut që ta ndihmonte me pastrimin e rekordit të të birit, por nuk mori përgjigje. Më kërkoi mua ndihmë, duke më thënë se i biri ishte i pafajshëm. Spartaku është i depresionuar dhe do të fillojë punë si llogaritar, por sa herë kërkon punë e pengon rekordi kriminal. Më dha një flamur shqiptar, një glob bore shumë të bukur të Prishtinës dhe një statujë të luftëtarit anti-osman Skanderbeg. Nuk më mori asnjë lek.
Informatori
Para plakut ishte një informant anonim që më dërgoi një mesazh me emrat e kriminelëve të paarrestuar. Pas kësaj takova një kriminel shqiptar, i cili tha se ishte pronar i 6 kafeneve dhe ishte arrestuar 6 herë. Ky tipi ka një plagë plumbi dhe mban në xhep kartëmonedha 100-dollarëshe. Pas njëfarë kohe me jep e merr, ai vendosi të më tregonte se po punonte për FBI-në si informator. Më tregoi kartëvizitën e agjentit të tij të FBI-së. Informacioni që më dha ngjante i besueshëm, por lidhet me ngjarje që janë në vazhdim ose nuk janë konfirmuar ende nga institucionet. E dija se informatori mund të ishte duke më gënjyer. Nuk e merrja si të mirëqenë faktin se FBI nuk do të më gënjente; i pyeta agjentët nëse do të më gënjenin për të mbrojtur hetimin dhe shefi i tyre më tha se jo.
Më kanë gënjyer më parë sa i takon kësaj historie; edhe për gjërat më të thjeshta. Një pronar restoranti mbi të pesëdhjetat më tha se nuk njihte shqiptarë që jetonin në atë zonë dhe as kishte dëgjuar ndonjë gjë që lidhej me ta; një orë më vonë zbulova se restoranti i tij ishte përballë rrugës ku Manoku qëlloi mbi kundërshtarët e tij. Njerëzit më të parë me të cilët u ndesha në kompleksin e banimit aty pranë ishin shqiptarë dhe gjeta gjithashtu 6 kafene shqiptarësh brenda një perimetri prej dy blloqesh banimi. Informatori, një babaxhan i shoqërueshëm, i llojit dorën-mbi-shpatulla më tha se kishte ndihmuar në organizimin e një prej takimeve të Alex Rudajt me familjen Gambino. Ai përmendi dy kafene: Tony’s dhe Shelia’s. Sipas tij, në një akt të dhunshëm dhe mungese respekti Rudaj i zhveshi cullak Joe Gambinon dhe disa prej shoqëruesve të tij. Shqiptarët nuk kanë frikë nga një mafioz italian, shtoi ai. Ndoshta, ata ia kanë frikën vetëm një shqiptari tjetër. Më siguroi se as ai nuk ka frikë nga asgjë, përjashto një gjë: ai ka frikë për shëndetin e fëmijës. Ai preku simbolin e krishterë që varej në pasqyrën e pasme të makinës së tij. Më bëri një xhiro te shtëpia e tij në periferi; më vonë më ktheu në qytet. Më tha se nuk donte të shihej tek fliste me mua në kafenenë e tij, sepse mund të mendonin se isha i FBI-së. Mori foto të kartës sime të identitetit me celular. Vazhdonte të fliste dhe të përdorte celularin teksa ngiste nëpër autostradë. Njeh Gjovalin Berishën. Një i paditur në gjyqin e pritshëm, i cili, sipas tij, ka një kafene pranë një bari ku unë kisha qenë më parë. Thotë se Berisha është djalë për së mbari; nuk është i dhunshëm, por kokë e këmbë në trafikimin e drogës. Më vonë kontrollova dosjet e gjykatës dhe pashë se ishte kapur me 6 kg marijuanë dhe kishte pranuar fajin. (Policia gjeti në banesën e tij një revole dhe plumba për xhaketa antiplumb, por Berisha tha se nuk ishin të tijat). Informatori më tha gjithashtu se pronari i një bari në të cilin kisha qenë më parë ishte një trafikant i madh droge dhe se vëllai i tij është shoferi i një ministri në Shqipëri. Më dha dy emra që duket se ekzistonin: Gjelosh Krasniqi dhe Ened apo Eduard Gjelaj. Njëri është në burg për krime lufte; tjetri, një i lidhur me familjen Gjenoveze, në fillim ishte në survejim federal, ndërsa tani në një burg të New York-ut. Ai më dha emrat e dy partnerëve të tyre në krime, të cilët janë ende të lirë. Informatori më tha se ai ngrinte kurthe: bare dhe kafene ku luhej kumar ilegalisht dhe ku ftonte gangsterë të njohur, kriminelë dhe aspirantë në rrugën e krimit. Ai i bënte këto vende të dukeshin si klube të mafias, por të gjitha ishin të përgjuara nga FBI-ja. Disa informatorë marrin para për këtë, disa të tjerë lihen të qetë për krimet e tyre. Disa të dyja. Më tha se droga në Bronx zakonisht vjen nga Arizona, Kanadaja dhe Kalifornia, ku shitet më pas në baret dhe klubet e Astorias, ku ka shumë lokale nën zotërimin e emigrantëve nga ish-Jugosllavia, por edhe nga Greqia e Italia. Shtoi se ata bëjnë kujdes që droga të mbahet në Bronx dhe cash-i në Astoria, në mënyrë që, nëse kapen, nuk do t’i humbin të dyja. Një operacion i madh do të ndodhë së shpejti në New York dhe rreth 50 vetë do të kapen. Shqiptarë dhe italianë, më tha. E pyeta se nëse i jepej mundësia të jetonte një jetë tjetër nga fillimi, çfarë do të bënte. As nuk u mendua fare: do të ishte agjent i FBI-së. Lë kokën për FBI-në.
Një histori New York-u
Anita Bitri ishte një këngëtare e njohur shqiptare, e cila hitin e saj të parë e pati në moshën 16-vjeçare dhe më 1996 u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, në Staten Island, për të provuar fatin. Më 2004, ajo, nëna e saj dhe e bija vdesin në një aksident tragjik; helmim nga monoksid karboni ndërsa flinin gjumë. Në atë kohë Anita po shoqërohej me një shqiptar të quajtur Parid Gjoka, i cili do të shkruajë një libër mbi këtë dhe të tjera ngjarje të jetës së tij. 375 faqet e para janë shkruar tashmë. Vetë Gjoka është i famshëm, në një farë mënyre, megjithëse nuk është në asnjërin prej sistemeve të të dhënave ku një gazetar mund të gërmojë nëse do ndonjë informacion mbi të. Në librin e tij ai gjithashtu do të tregojë edhe për vitet që ka kaluar duke qenë krimineli shqiptar më aktiv. Gjoka, 33 vjeç, erdhi në Amerikë kur ishte vetëm 17 vjeç, me një vizë 6-mujore në xhep dhe me qëllimin për të mos u kthyer më në Shqipëri. Sipas tij, erdhi për një jetë më të mirë. Në fillim punoi në ndërtim, si roje parkimi, shtrues çatish dhe kohën e kalonte nëpër kafenetë shqiptare në Ridgewood, Queens. Këtu u takua me Kujtim Konçin, një i shok i vjetër nga Tirana, i cili, sipas Gjokës, në Shqipëri njihej si një nga gangsterët më të mëdhenj. Gjoka e donte atë stil jete. Nga viti 2000 dhe deri në arrestimin e tij të fundit më 2008, ai kreu vetëm krime; sipas tij, përditë. Nisej drejt Michigan-it për të marrë 20-30 kg marijuana që vinte nga Kanadaja dhe e sillte në New York, me Konçin që e ndiqte nga pas, në rast se ndalohej nga policia gjatë rrugës. (Plani ishte që Konçi të përplasej me makinën e policisë dhe të thoshte se e kishte zënë gjumi në timon.) Gjoka tregon se çdo ditë trafikonte 30-60 kg marijuana. Në zonat e pushimit afër Buffalo-së dhe Syracuse-s takonte personin e kontaktit, një femër; hipte në sediljen e pasme dhe në një ndarje të fshehtë hidhte mijëra dollarë amerikanë, të cilët ajo i kalonte matanë kufirit për të paguar furnizuesit në Kanada. Në makina me xhama të errët ai negocionte marrëveshje droge që vlenin më shumë se 100 000 USD, ndonjëherë me njerëz që në të kaluarën i kishte grabitur. Përpara se të bënin ndonjë biznes bashkë, ata kërkonin që të shihnin familjet e njëri-tjetrit si edhe të shihnin ku ata jetonin, si garanci.
Gjoka, ashtu si dhe vëllezërit Krasniqi, kishte bandën e tij dhe të dyja palët punonin së bashku për marrjen dhe shpërndarjen, e qindra kileve marijuanë nga Kanadaja. Më 2005 pati një sherr mes dy bandave. Dikush i nxori thikën Gjokës. Gjoka nuk u tregua burrë e të luftonte. (I dërrmuar nga vdekja e Anitës një vit më parë, ishte kthyer në përdorues i rëndë i drogës.) Më vonë, po atë vit, Krasniqët refuzuan të paguanin për një dërgesë marijuana që kishin marrë nga Gjoka. Gjoka dhe Plaurent Çela, pjesëtar i bandës së tij, shkuan të flisnin me Krasniqët. Saimir (Sammy) Krasniqi e kërcënoi me armë. Krasniqët nuk luajnë. Ata nuhatën një çast dobësie dhe u vërsulën që të merrnin kontrollin. Vendet ku rrinin zakonisht pjesëtarët e bandës Gjoka u bënë pre e sulmeve të dhunshme. Lufta sapo kishte filluar. Banda e Gjokës, që përfshinte Erion Shehun, Skënder Çakonin, Çelën, Gentian Carën dhe një burrë të quajtur Visi u përgatitën për betejë, ashtu sikurse edhe banda Krasniqi. Ata rrëmbyen dhe rrahën një pjesëtar të bandës Gjoka, të quajtur Tani, krahu i djathtë i Gjokës. Tani pranoi të bëhej një gjoja agjent i dyfishtë dhe të spiunonte Gjokën. Më vonë ai, i ngriti kurth Gjokës kur e regjistroi duke folur për drogën dhe krimet, dhe tani është duke bashkëpunuar me qeverinë. Banda e Krasniqëve vrau Shehun, dhe banda e Gjokës, në shenjë hakmarrje, vunë në shënjestër Bruno Krasniqin, teksa dilte nga një bar në Astoria, Queens. Sipas prokurorëve, Gjoka i drejtoi pistoletën, Çela Uzin (mitraloz izraelit) e tij dhe Çakoni me një pushkë gjahu bërtiste “Qëllo!Qëllo!”, por Gjoka humbi kurajën. Ndërsa Çela humbi respektin për Gjokën. Një nga anëtarët e bandës së Gjokës kaloi në anën e Krasniqëve. Çela u kthye në Shqipëri për varrimin e Shehut dhe pikërisht këtu ai u bë mik i ngushtë me një nga vrasësit e Shehut, anëtar kryesor i bandës Krasniqi. Krasniqët fituan. Tani ata zotëronin biznesin e marijuanës. Dy prej anëtarëve të bandës Krasniqi u kthyen në Shqipëri. Njëri prej tyre ishte Almir Rrapo, zyrtar civil në një prej ministrive shqiptare. Tjetri ishte Gentian Kasa, i cili në vitin 2007, në Brooklyn, qëllohet për vdekje. Ai ishte njëri prej dy ushtarëve që u shfaqën te dera e shtëpisë duke kërcënuar se do përdhunonin gruan e dikujt.
Skënder Çakoni, një pjesëtar i bandës Gjoka, do të arrestohej për zotërim të 52 gramëve kokainë dhe një tjetër 40 gramëshi të fshehur në frigorifer. Në momentin e arrestimit atij iu gjetën peshore dixhitale, mullinj, një shishe Inosita (hollues për narkotikët), qeska plastike Ziploc, një thikë ‘flutur’, një stun gun, një pistoletë, një BB gun (armë me plumba llastiku) dhe dy radio Motorola të tipit “Talkabout”. Çakoni gjithashtu është akuzuar si personi që furnizonte Gjokën me marijuana Arizone, malli më i lirë. Më 2007 në New York ai kishte 100 kg marijuana, gati për shitje, dhe njëherë i kishte dhënë Gjokës makinën e tij që të sillte një sasi të madhe marijuane nga Detroit-i. E transportonin në çanta të mëdha hockey. Tani që bërrylat e kishin nxjerrë jashtë lojës së drogës, Gjoka dhe të tjerë, filluan të merreshin me trafikimin e të huajve dhe shpërndarjen e Ecstacy, si edhe vjedhje. Gjoka dhe çunat e tij vodhën nga një firmë catering 64 000 USD. Hynë me dhunë në apartamentin e qiramarrësit të tyre në Queens, duke kërkuar shuma të mëdha parash që ata mendonin se ishin aty. Një burrë i quajtur Hasan i informoi se një çift, që kishte në pronësi një dyqan stolish, mbanin në shtëpinë e tyre gjëra me vlerë; ata hynë me dhunë dhe vodhën stolitë, të cilat i shitën për 3000 USD. Pasi morën një informatë (nga Anxhelo) për një shtëpi në Yonkers, ata arritën të merrnin 7000 USD para të thata, dy ora si edhe një stilolaps-pistoletë. Axhelo u jep një tjetër informatë; një shpërndarës droge nga Yonkers do të largohej për ca ditë, duke lënë në shtëpi 2 milionë USD para të thata dhe Ecstacy; arritën të helmonin me mish qentë e tërbuar që bënin roje, por u desh ta braktisnin kur erdhën policët. Bastisën shtëpinë e një tjetër shpërndarësi në Bronx, River Road, por këtu arritën të merrnin vetëm një armë të vjedhur. Gjoka thotë se ka marrë pjesë në 40-50 vjedhje. Ka pasur edhe një kërkesë, nga një burrë i quajtur Louie, për zjarrvënie në një fabrikë në Jersey, e ndjekur nga dy zjarrvënie të tjera. Gjoka, bashkë me një burrë me emrin Gentian Nikolli, zbuluan një vend në Vermont, afër kufirit kanadez. Në tre raste të ndryshëm ata u munduan të fusnin emigrantë ilegalë nga kjo pikë; një herë 4 aziatikë, dështim; një herë pronarin e një restoranti (kombësia nuk dihet), që përfundoi me sukses, dhe njëherë një kroat, që përfundoi me arrestimin e kroatit. Më 2007, vetë Nikolli u arrestua nga agjentët federalë ‘me presh në duar’, ndërsa mundohej të kalonte ilegalisht disa të huaj. Gjoka gjithashtu pranoi se i jepte para njërit prej çunave të vet për të transportuar drogë nga Kolumbia në Shqipëri. Më 2004 u arrestua për armëmbajtje pa leje, më 2005 për ngarje makine në gjendje të dehur, nga emigracioni më 2007 dhe për një sherr në një bar më 2008. Pikërisht për këtë sherr do të arrestohej nga agjentët e FBI-së pak para riatdhesimit të tij. Më 2009 firmosi një kontratë-marrëveshje me qeverinë. Prej një avokati mbrojtës kam dëgjuar se Gjoka ka shpenzuar 180 000 USD për shërbimet e tij, dhe se në fund të gjithë kësaj ai do të marrë një emër të ri, një identitet të ri, dhe një vend në program special për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas dëshmive të Gjokës, të gjitha këto ngjarje janë të vërteta. Por ai u detyrua nga prokurorët të kalonte në sitë librin e tij të papërfunduar, radhë pas radhe; të ndante të vërtetën nga trillimet. Gjoka pranoi ato që dukeshin, të paktën për të, si kundërvajtjet më të vogla të mundshme: sipas sugjerimeve të një prej bashkëpunëtorëve të tij kriminelë, ai gënjeu për disa prej ngjarjeve që janë në libër për ta bërë më të shitshëm.
Gjyqi
Gjyqi i parë i bandës shqiptare në New York filloi këtë javë, në një gjykatë federale në Pearl Street, në Lower Manhattan. Në fillimin ishin 9-11 të akuzuar; gjashtë kanë pranuar fajësinë, duke përfshirë edhe Daniel Bertram Weis (gjithashtu i njohur me emrin Daniel Weiss, Berti, Albert Tamali, Temali dhe Tamoli), një me 7-klasë shkollë nga Michigan-i, i cili ishte pjesë e rrjetit të trafikut të marijuanës nga Detroit-i në Bronx. Fajësinë e pranoi edhe Gentian Nikolli, 34, i cili erdhi nga Shqipëria kur ishte 21 vjeç, ka patur armë dhe dokumente të falsifikuara, ka folur për grabitjen me armë të një makine të blinduar dhe, sipas prokurorëve, në komunitet ishte i njohur për gjuajtje me thika, grushta, shkelma në fytyrë dhe kryerjen e një sërë aktesh të dhunshme një numër të konsiderueshëm herësh. Edhe ai ka rënë viktimë e këtyre shpërthimeve të pakontrollueshme. Pronari i një bari në Ridgewood i pagoi siguracionin për lirimin me kusht.
Më 13 maj 2003, Kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara kërkoi bërjen publike të marrëveshjes së arritur me zyrtarin civil shqiptar Almir Rrapo. Kur i kërkova sekretares së gjykatës një kopje të kësaj marrëveshjeje më tha se stafi i gjykatësit akoma nuk e kishte sjellë lejen që e bënte dosjen publike, kështu që mua m’u desh të bëja një kërkesë. Në darkë më erdhi dokumenti që kërkoja. 28-vjeçari Almir Rrapo, me një master në Shkenca Politike, pranoi fajësinë për 9 prej akuzave dhe pranoi të bashkëpunonte me qeverinë amerikane. Ka pranuar se nga viti 2002 deri më 2010, në Manhattan, në Queens, në Detriot, dhe kudo tjetër, ai ka qenë pjesë e një rrjeti që shpërndau 100 kg marijuana (me vlerë 3 milionë USD), grabitjen e një shpërndarësi marijuane, rrëmbimin e një shpërndarësi rival, planifikoi vrasjen e një furnizuesi, dhe vrau Erion (Lonka) Shehun. Rrapo gjithashtu pranoi akuzën e zotërimit të Ecstacy me qëllim shitje dhe furnizimin e të tjerëve me armë, përfshi edhe një silenciator. Masa e dënimit do të jepet më 11 korrik. Për Gentian Çarën, nga Toronto, i cili më vonë do të vendosë nëse do të dalë para gjykatësit bashkë me vëllezërit Krasniqi, vetëm, apo do të pranojë fajin, çështja u rëndua qysh ditën e parë të gjyqit. Shteti ka 35 orë regjistrime, në audio, në gjuhën shqipe, 99 minuta evidencë filmike dhe 9 000 faqe tabulatesh telefonikë. Çara insiston se evidenca në ato regjistrime do të ndihmojë çështjen e tij. Përkthyesja tregon se deri tani ka dëgjuar rreth 100 telefonata, shumica e tyre në anglisht dhe rreth 13 telefonata në shqip. Puna për përkthimin e telefonatës së parë në shqip ka filluar. Gjatë dëshmisë së tij një agjent i DEA-së shpjegoi rrjetin e ‘barit’ në New York City: grada e ulët e ‘barit’ komercial të rritur në ambiente të jashtme dhe që vjen nga Meksika (i presuar, i mbështjellë me letër plastike, i lyer me kimikate që fshehin erën, i mbështjellë përsëri, i paketuar dhe i postuar), 500 dollarë për pound, në treg shumice; ‘bari’ nga Arizona (gjithashtu i rritur në Meksikë, quhet Ari apo Zona), 1000 dollarë për pound; bar nga kopshti i Xhamajkës, 1500 dollarë për pound; bar hydroponic (i rritur në ujëra minerale dhe jo tokë) apo butike (zakonisht i rritur në veri perëndim të ShBA-ve, California-në veriore apo British Columbia (Kanada); bud, nuk presohet shumë, paketim me vakum apo nxehje, që në treg shumice shkon për 4000-6000 dollarë për pound, ndërsa në rrugë ka një vlerë prej 14 000 dollarësh.
Nga gjyqi i parë kanë ngelur vetëm Plaurent Çela dhe Skënder Çakoni, i cili duket më i forti nga të dy. Para nëntë vjetësh DEA bastisi apartamentin e tij në Bronx. Ai ishte krahu i fortë i Gjokës, shpërndarësi dhe zëvendësi i tij; gjithmonë në kërkim të marrëveshjeve të drejtpërdrejta me lidhjet kanadeze, por që asnjëherë nuk e la punën e tij në një lokal picash. Kur të gjithë u çuan në këmbë për gjykatësin që po hynte në sallë, ai ishte i vetmi që i mbante duart të lidhura nga pas, sikur të ishte gjithmonë gati për t’u arrestuar. Ka pamjen tipike të një djali rrugësh; flokët të përlyer, të krehur prapa, gjithmonë duke u zënë me avokatin e tij, paksa i plakur, shumë i dobët, shumë ‘i rrugës’ për kostumin e tij, apo çfarëdo lloj kostumi që të veshë. Çela, 29 vjeç, duket si një fëmijë dhe disa herë një buzëqeshje formohet në fytyrën e tij. U dërgon një puthje prindërve të tij, të cilët flasin një anglishte të çalët, dhe së bashku shkëmbejnë disa fjalë memece në shqip. Unë dhe prindërit e tij jemi ulur afër njëri-tjetrit në sallë, megjithëse jemi të vetmit aty. Prindërit e Çelës, sidomos e ëma, duken se janë të tensionuar dhe shumë të shqetësuar për birin e tyre. Më tregojnë se po shpenzojnë të gjithë kursimet e tyre dhe se ai është i pafajshëm; e ëma gati sa nuk shpërthen në lot teksa më tregon këto. Më tregojnë historinë e tyre, historinë e të birit, pastaj pendohen; thonë se nuk duhet të më thonë asgjë për sa kohë që gjyqi vazhdon, kështu që unë disa detaje nuk do i bëj publike. Shqetësues është fakti se, megjithë shumat marramendëse që po harxhonin për të paguar avokatin mbrojtës, ata nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte me gjyqin e të birit. U mundova t’ju shpjegoja rolin e jurisë, rolin e gjykatësit, çfarë ndodhte në lidhje me vendimin, dënimin, çfarë ishte voir dire (betimi për të treguar të vërtetën), çfarë ishin sidebars (kur avokatët i afrohen gjykatësit, për të diskutuar diçka që publiku nuk duhet të dëgjojë). E ëma, një e më dy vraponte drejt avokatit të të birit, derisa ky e urdhëroi të ulej e ta linte të bënte punën e tij.
Kur Gjoka dëshmoi, ai solli detaje mbi vdekjen e këngëtares Anita Bitri, megjithëse askush nuk ia kërkoi. E quajti ‘shpirtin binjak’, dhe se vdekja e saj ishte rrënimi i tij. E donte siç nuk kishte dashur askënd tjetër në jetë. Ishte ai që i gjeti trupat e pajetë. Pas vdekjes së saj disa herë i kaloi nëpërmend mendimi për të vrarë veten. Filloi të abuzonte me drogën, për ta hequr mendjen nga ajo. Disa herë i është shfaqur fantazma i saj; nga dhimbja gati sa nuk u marros. Pas dëshmisë së Gjokës, disa prej avokatëve mbrojtës u mblodhën së bashku, duke qeshur. Talleshin me ‘shfaqjen e shpirtit’ të Gjokës dhe atë çfarë ai tha për vdekjen e shpirtit binjak.