Zbulim i jashtëzakonshëm, por edhe frikë e përjetuar nga një familje norvegjeze, që praktikisht është gjendur në shtëpi me një copë meteori të rënë nga qielli. Trupi qiellor ka çarë çatinë e një vile të familjes Thomassen, aty në mes të një lagjeje mjaft popullore të Oslos.
Sipas ekspertëve, guri prej 585 gramësh është shkëputur nga meteori i kaluar mbi Norvegji më 1 mars dhe është vërtetuar si i tillë nga astrofizikanti Knut Joergen Roed Oedegaard dhe nga e shoqja Anne Mette Sannes, të pasionuar me meteoritë.
Bëhet fjalë për një eveniment të jashtëzakonshëm, pasi është e rrallë që një copëz e meteorit të mos shpërbëhet tërërsisht pas hyrjes në atmosferë, por që të përplaset në një qendër të banuar. Sipas ekspertëve, familja në fjalë duhet ta konsiderojë veten tepër me fat, për faktin e thjeshtë që nuk ka pësuar dëme, por edhe sepse kjo copëz e trupit qiellor ka edhe një farë vlere monetare.