Asteroidi i kategorisë së njëjtë si ai, i cili supozohet të ketë eksploduar sipër lumit Tunguska në vitin 1908, do të kalojë pranë Tokës në vitin e ardhshëm, duke fluturuar shumë më afër se disa satelitë, ka deklaruar NASA.
Asteroidi 2012 DA14 do ta shmangë planetin tonë për 26.900 kilometra, më 15 shkurt të vitit 2013, që është më afër se satelitët në orbitën gjeostacionare prej 35.700 kilometrash, bën të ditur NASA.
Asteroidin, të cilin së pari e ka zbuluar observatori astronomik spanjoll Sagra, ka diametrin mes 40 dhe 95 metrash dhe i takon grupit të asteroideve Apolo afër Tokës, ku shumë prej tyre janë të rrezikshëm për shkak të ndeshjeve të mundshme.
Grupet astronomike nëpër gjithë botën vazhdojnë të përcjellin asteroidin 2012 DA14 në përpjekje për të konfirmuar madhësinë dhe trajektoren e tij.
Madhësia e vlerësuar e asteroidit është në kategorinë e njëjtë si trupi qiellor i cili ka eksploduar sipër Siberisë perëndimore, në vitin 1908.
Edhe pse ka shumë teori në lidhje me rastin në lumin Tunguska, shpjegimi kryesor është që bëhet fjalë për një objekt më të madh se 50 metra i cili ka eksploduar në atmosferë.
Eksplodimi ishte të paktën 1.000 herë më i fuqishëm se bomba bërthamore e cila ka shkatërruar Hiroshimën në vitin 1945.
“Eksplodimi Tungunska 1908” është emërtimi për eksplodimin e pashpjegueshëm i cili është bërë më 30 qershor në vitin 1908 në Rusi në Siberi në afërsi të lumit Tungunska, i cili në histori njihet edhe si “Eksplodimi i madh siberian”, ndërsa supozohet që meteori ka rënë dhe është djegur mbi atë zonë.
Shumica e dëshmitarëve ka dëshmuar për një, por disa edhe për më shumë eksplodime të mundshme, që kanë ndodhur më 30 qershor të vitit 1908, në Siberi.
Gjatë eksplodimit drunjtë dhe pemët në diametër brenda 30 kilometrash janë shkatërruar dhe djegur, ose thyer, ndërsa dritaret dhe dyert janë thyer edhe deri në vendin Vanavara 65 kilometra larg.
Vlerësohet që ngjarja ka përfshirë sipërfaqen e zonës prej 2.000 kilometrash katrorë dhe ka shkatërruar 60 milionë drunj.
Madje edhe udhëtarët e trenit trans-siberian, të larguar rreth 600 kilometra, kanë dëshmuar për dridhjet dhe dritat në qiell. Një gjahtar ka vdekur nga shtypja e fortë e eksplodimit, ndërsa ka mundësi të kenë vdekur edhe më shumë njerëz.
Vetëm 19 vjet më vonë, në vitin 1927, një ekspeditë është nisur në atë zonë për të hulumtuar se çfarë kishte ndodhur. Është interesante që kjo ekspeditë, e udhëhequr nga profesori Leonid Kulik, nuk ka gjetur asnjë krater, por vetëm drunjtë e shkatërruar dhe të djegur.