Nëse nuk dëshiron të përfundojë në burg për 60 ditë dhe të paguajë një dënim prej 500 dollarëve, një amerikan duhet t’i kërkojë falje ish gruas nëpërmjet Facebookut për shkak të komenteve të cilat i kishte postuar për të në faqen e rrjetit social – dhe atë jo një herë, por një muaj rresht për çdo ditë! Kërkimfaljen ai duhet ta postojë në Facebook dhe për këtë e urdhëroi gjykata.
Sipas mediave amerikane, Mark Byron nga Cincinnati me ish bashkëshorten Elizabeth Byron momentalisht janë duke vazhduar betejën gjyqësore për kujdesin e djalit të tyre 17 muajsh.
Gruaja e kishte akuzuar vitin e kaluar burrin për keqtrajtim fizik dhe psikik dhe gjykata ia kishte ndaluar atij t’i afrohej gruas.
Ndër komentet kundërthënëse në faqen e Facebookut ishte edhe ky: “Nëse je grua shpirtkeqe e cila dëshiron t’ia shkatërron jetën burrit tënd dhe t’ia marrësh djalin, e tëra që duhet thënë është se ti ke frikë nga ish burri yt”.
Edhe pse ai nuk e kishte kërcënuar me komentet e tij, gjykata vlerësoi se ish bashkëshorti e kishte keqtrajtuar psikikisht duke shprehur frustrimin e tij nëpërmjet Facebookut.
Byron u ankua për këtë vendim të gjykatës e cila ia mohoi atij lirinë e shprehjes, por megjithatë ai do të detyrohet t’i kërkojë falje nëse dëshiron të mos shkojë në burg.