Qeveria ndërmerr një tjetër ndryshim në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Vendimi i djeshëm i ekzekutivit parashikon rimbursimin e tarifës së legalizimit për të gjithë ata që e kanë paguar të gjithë me para, me kushtin që pagesat t’i bëjnë me bono privatizimi.
Vendimi vjen në kuadër të ndryshimeve ligjore të miratuara gjatë vitit 2009, të cilat futen gjerësisht në përdorim bonot e privatizimit si mjet pagese për tarifat. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që ishin në proces legalizimi do të paguanin një përqindje të caktuar të tarifës me bono privatizimi ose siç thirren në gjuhën e përditshme: letra me vlerë.
Kështu, ndërtimet nën 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë mund të paguajnë deri në 70 për qind me letra me vlerë, ndërsa 30 për qind me lekë në dorë. Ndërtimet brenda vijës së verdhë nën 300 metra katrorë ndërkohë paguajnë deri në 70 për qind me letra me vlerë dhe 30 për qind me para në dorë.
Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3 mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. “Personat, që përfitojnë, janë të detyruar të bëjnë pagesën me bono privatizimi të vlerës së rimbursueshme dhe të dorëzojnë pranë drejtorive të ALUIZNI-t, në qarqe, dokumentacionin financiar, që vërteton kryerjen e kësaj pagese, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së njoftimit me shkrim”, theksohet në vendim. Moskryerja e pagesës me bono privatizimi, brenda afatit të përcaktuar, sjell humbjen e së drejtës së rimbursimit të shumës respektive në para.