Funksionaliteti i tregut të borxhit të brendshëm pritet të testohet edhe një herë të martën e ardhshme, kur Ministria e Financave shpreson të shesë rreth 14 miliardë lekë bono me afat maturimi 6 dhe 12-mujor.
Gazeta “Shqip” bën të ditur se rreth 45 për qind e kërkesës do të mbulohet nga Banka e Shqipërisë, gjë që e bën më të lehtë krijimin e tendencës rënëse të interesave të bonove.
Në ankandin e shkuar interesi mesatar i bonove 12-mujore ishte 7 për qind, ndërkohë që kërkesa e bankave ishte e paktë.
Qeveria është detyruar gjatë muajve të fundit të emetojë më shumë tituj borxhi afatshkurtër, pasi disa banka kanë refuzuar të investojnë në obligacionet afatgjata.
Tregu i parasë në Shqipëri është ngushtuar gjatë kohëve të fundit jo aq shumë nga sasia e parave të disponuara nga bankat se sa nga kufizimet rregullatore të brendshme të bankave.
Gjatë vitit të shkuar, bankat kanë ushtruar presion të vazhdueshëm në drejtim të rritjes së interesave të bonove dhe obligacioneve, ndërkohë që qeveria ka pasur pak hapësirë manovrimi.
Qeveria përballet me fatura shtesë nga importi i energjisë elektrike, të cilat deri në fund të vitit mund të arrijnë në 11 miliardë lekë, ndërkohë që fondet rezervë të programuara në buxhetin e vitit 2012 janë vetëm 4.7 miliardë lekë.
Banka e Shqipërisë e ka ulur vazhdimisht interesin bazë në ekonominë shqiptare, gjë që në teori duhet të lehtësojë koston e huamarrjes në lekë të qeverisë, ashtu si edhe interesat e kredive në lekë të bizneseve e qytetarëve.
Por fuqia e ndjeshme e bankave në tregun e borxhit publik ul efikasitetin e politikës lehtësuese nga ana e bankës qendrore.
Interesat e obligacioneve dyvjeçare të qeverisë janë aktualisht rreth 8.9 për qind në vit. Ky ka qenë instrumenti i borxhit që ka pësuar rritjen më të lartë të interesave gjatë vitit të fundit.
Situata
Banka qendrore e ka ulur interesin bazë në 4.5 për qind, niveli më i ulët historik, gjë që nënkupton ulje të kostos së borxhit.
Ankandi
Në ankandin e fundit, interesat e bonove 12-mujore qenë 7 për qind, ndërsa interesi mesatar i borxhit publik është rreth 8 për qind.
Surpriza
Gjatë muajit janar, interesat e bonove pësuan një rritje të papritur, ndërsa disa ekspertë sugjerojnë që rritja u shkaktua nga fuqia e bankave.