Tirana nderon 4-vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe ish-presidentin e saj, Ibrahim Rugova, duke i dhënë emrin e tij një rruge në zonën e Shallvareve.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Bashkia e Tiranës mori pjesë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
“E ndjej vetën të privilegjuar që 4-vjetorin e Pavarësisë ta festojmë në Tiranë bashkarisht. Ju falenderoj për hapjen e një rruge me emrin e presidentit historik. Ky është një nder i veçantë për ne, jo vetëm për respektin që tregoni ndaj figurës së tij, por edhe për kosovarët që janë flijuar për vlerat e demokracisë që sot po i jetojmë”, u shpreh Mustafa në ceremoninë e inagurimit, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku Basha.
Të dy krerët e qeverisjes vendore theksuan nevojën e përshpejtimit të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në aspektin e integrimit europian të të dy vendeve.