Barcelona pret rinovimin e kontratës me Pep Guardiolën të paktën edhe për një sezon tjetër. Trajneri katalanas pritet që në ditët e ardhshme të zhvillojë një takim me drejtuesit e klubit për të diskutuar në lidhje me këtë cështje dhe të gjitha shenjat flasin për mundësinë e zgjatjes së bashkëpunimit mes tyre deri në vitin 2013.
Bordi drejtues i Barcelonës tashmë ka filluar programimin për sezonin e ardhshëm dhe hapi i parë është konfirmimi i stafit teknik të skuadrës. Klubi spanjoll e ka siguruar Guardiolën se dëshiron të investojë në skuadër si dhe qëndrimin e të besuarve të tij duke filluar me kontratën e zëvendëstrajnerit, Tito Vilanova.
Tani gjithcka mbetet në dorë të Pep Guardiolës, i cili ende nuk e ka marrë një vendim në lidhje me këtë cështje dhe kjo më shumë për arsye teknike sesa financiare. Gjithsesi gjithcka do të mësohet brenda 10 ditëve pasi të ketë përfunduar edhe takimi mes Guardiolës e drejtuesve të kampionëve të Spanjës.