Sipas ekspertëve, sasitë e ujit të nxjerra nga liqeni mund t'i japin përgjigje shumë pyetjeve mbi mjedisin në shtresën akullnajore të Antarktidës.
Një grup shkencëtarësh rusë, që po kryenin një shpim prej 4 kilometrash në Antarktidë, kanë bërë të ditur se kanë arritur në liqenin Vostok, i cili nuk ka patur kontakt me dritën, apo me ajrin për më tepër se 15 milionë vjet. Sipas ekspertëve, sasitë e ujit të nxjerra nga liqeni mund t'i japin përgjigje shumë pyetjeve mbi mjedisin në shtresën akullnajore të Antarktidës, përfshi faktin nëse gjallesat kanë gjetur apo jo një mënyrë për të mbijetuar në këtë botë të humbur dhe kryesisht të ngrirë. Provat për ekzistencën e një liqeni të madh në këtë zonë janë shfaqur që në fillim të viteve '70.
Deri në vitin 1966, shkencëtarët kishin mbledhur të dhëna të mjaftueshme, mbi përbërjen e shtresës së akullit dhe terrenit poshtë tij, për të botuar një artikull në revistën Natyra, i cili përshkruante liqenin e fshehur Vostok. Rusia krijoi menjëherë një projekt për të kryer shpime përgjatë 4 kilometrave të trashësisë së akullit, në mënyrë që të arrinin liqenin. Ato shpime dhe studime vazhduan të kryeshin për çdo vit qysh atëherë. Akulli 400 mijë vjeçar përmban shumë mikro-organizma të përshtatura ndaj të ftohtit, të ngjashme me ato që gjenden pranë erërave në fundin e oqeanit.
Plani është që uji të ngjitet në sipërfaqe nëpërmjet të çarës dhe të lihet derisa të ngrijë prej dimrit të Antarktikut, në mënyrë që shkencëtarët të mund ta studiojnë më pas. Mendohet se zbulimet e arritura në Antarktik do të frymëzojnë brezat e rinj të shkencëtarëve që të zgjidhin sekretet e kësaj bote të gjerë dhe kryesisht të pastudiuar.