Shërbimet Sekrete të Izraelit zbuluan dhe shmangën një atentat ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Ehud Barak, gjatë vizitës së tij të kësaj jave në Singapor.
Sipas burimeve të pakonfirmuara brenda agjensisë së zbulimit, “Mossad”, plani i detajuar ishte orkestruar nga grupi libanez i Hezbollahut dhe agjentët e shërbimeve të fshehta të Iranit.
Lajmi që shumë shpejt përfundoi në faqet kryesore informative botërore, u publikua fillimisht në të përditshmen kuvajtjane “Al Jarida”.
Nëse do të konfirmohet, ky atentat i parealizuar mund të përkeqësojë edhe më shumë marrëdhëniet që tani kritike midis Teheranit dhe Tel Avivit zyrtar.
Gjatë javës, një seri sulmesh me bombë ka vendosur në shënjestër diplomatët izraelitë në disa vende të ndryshme, sulme për të cilat është bërë përgjegjës inteligjenca iraniane.
Ehud Barak, një prej figurave me më shumë ndikim në jetën politike të Izraelit, ka pranuar më parë gjatë vitit se një sulm i njëanshëm ushtarak i vendit të tij ndaj Iranit është një mundësi që Tel Avivi e merr në konsideratë, nëse një marrëveshje ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës do të mungojë.