Të paktën dy persona kanë vdekur dhe nëntë të tjerë janë ende nën gërmadha si pasojë e rrëshqitjes së borës në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.
Lajmin e konfirmoi për Top Channel zyrtari i lartë i FSK-së, Shemsi Syla. Ai bëri të ditur se orteqet e borës kanë rënë mëngjesin e sotëm duke mbuluar e shkatërruar 15 shtëpi me gjithësej 11 banorë.
“Akoma nuk dihet gjë për 9 banorë të tjerë me të cilët ka humbur çdo kontakt”, deklaroi Syla nëpërmjet një bisede telefonike.
Ai tha se përpjekjet e KFOR-it për t’u ulur me helikopter kanë dështuar dhe rrjedhimisht ka qenë e pamundur të ndihmohen banorët e këtij fshati.
Sipas tij, ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur me të gjitha makineritë, por koha është shumë e keqe dhe është e vështirë të depërtohet deri në atë fshat.
Situatë e rënduar për shkak të borës mbretëron edhe në komunën e Pejës. Të gjitha fshatrat e kësaj komune janë të bllokuara, ndërsa gjendja e jashtëzakonshme mbetet ende në fuqi.
Reshjet e borës kanë vazhduar të shtunën në gjithë territorin e Kosovës. Një situatë e tillë, sipas institutit meteorologjik, do të vazhdojë deri të hënën kur pritet të ndalen reshjet dhe të ngrihen temperaturat.