Dita e hënë do të jetë ditë zie në Kosovë, në nder të viktimave të tragjedisë në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.
Operacioni i kërkim shpëtimit përfundoi sot, ndërsa ka mbijetuar vetëm një vajzë e vogël.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shpallur ditën e hënë, ditë zie shtetërore, ndërsa në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri do ulet në gjysmë shtize.
Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive të planifikuara për këtë ditë, do pezullohen dhe do shtyhen për një datë të mëvonshme.
***************************
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me anë të një deklarate për shtyp ka shprehur ngushëllimet lidhur me tragjedinë në fshatin Restelicë, ku humbën jetën nga orteku i borës 9 anëtarë të familjes Reka.
“Me shqetësim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të 9 qytetarëve, shkaktuar nga orteku i borës. Kjo tragjedi ka prekur thellë jo vetëm familjarët e të afërmit, por edhe tërë qytetarët e Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të familjes Reka.
Në këto momente shumë të dhembshme, vlerësoj lartë angazhimin e jashtëzakonshëm që bënë dhe po bëjnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, të trupave të KFOR-it, si dhe qytetarët, që në këto kushte tejet të vështira atmosferike po bëjnë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë dhe shpëtuar të goditurit nga orteku i borës”, thuhet më tej në deklaratë.
*****************
Një ortek ka shkaktuar nëntë të vdekur në Kosovë. Orteku ka goditur 15 shtëpi në fshatin Restelicë në komunën e Dragashit. Nga kërkimet e deritanishme një vajzë shtatë vjeç është nxjerr nga shtëpia. Vazhdojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
Orteku i borës, me thellësi prej 10 metrash dhe gjerësi rreth 500 metra, i cili ka goditur fshatin Restelicë, dje rreth orës 7: 30 të mëngjesit, dyshohet të ketë bllokuar nën borë 11 persona.
Të gjithë viktimat janë nga familja Reka. Nga 11 anëtarë që ishin brenda shtëpive, vetëm vajza 7-vjeçare është nxjerrë e gjallë.