Sistemi aktual i pensioneve nuk ofron asgjë, si për kontribuesin, pensionistin, ashtu dhe për vetë shtetin, i cili çdo vit nxjerr nga arka qindra milionë dollarë për të kryer kompensimet e nevojshme.
Të dhënat tregojnë se me ecurinë e deritanishme nuk mund të shkohet shumë gjatë, ndërsa zërat për një reformim të skemës po shtohen nga të dyja kampet politike, por me këndvështrime të ndryshme.
Gjendja paraqitet kritike, pasi kemi të regjistruar rreth 418 mijë kontribues dhe afro 540 mijë pensionistë, pra një raport aspak normal, kur duhet të ishte krejt e kundërta.
Qeveria uli masën e kontributit me 5 pikë përqindje për të
Aktualisht, defiçiti midis te ardhurave te kontribuesve dhe pensioneve eshte 300 milion dollare, por deri ne 2014 pritet te shkoje 450 milione $
Gazeta "Shqip" lehtësuar punëdhënësit në pagesën e taksave, por të ardhurat dhe numri i kontribuesve nuk ishte ai i pritshmi.
Vetëm vitin e kaluar, buxheti i shtetit pagoi rreth 310 milionë dollarë në formë kompensimi për pensionet, pasi të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme, ndërsa pensionistët duheshin paguar në kohë.
Duke u bazuar në tendencën negative, Ministria e Financave parashikon se deri në vitin 2014, fatura për të përballuar në total shpenzimet e pensionistëve do të arrijë në rreth 1 miliard dollarë, nga 750 milionë që ishte vitin e kaluar.
Duke iu referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të paktën deri në muajin nëntor 2011 ishin të regjistruar në sistem 418 mijë kontribues, të cilët ofruan 440 milionë dollarë përmes masës së kontributit të derdhur në shtet (25 për qind).
Duke parë këtë nivel të ardhurash dhe nevojën për të përballuar faturën, kuptohet qartë se diferenca e krijuar, gati 310 milionë dollarë, është barrë për shtetin dhe njëkohësisht për taksapaguesit shqiptarë.
Tek analiza e të ardhurave, publikuar këto ditë nga Financat, mësojmë se, arkëtimet nga kontributi i sigurimeve shoqërore ishin 7 për qind më tepër se viti 2010, por 3.2 për qind më pak se plani për 2011, deri në nëntor.
Nga ana tjetër, kemi shpenzimet që rriten gjithnjë e më shumë. Nëse në vitin 2010 u shpenzuan 71.2 miliardë lekë, vitin e kaluar nga arka u nxorën 76.7 miliardë, ose 7.7 për qind më shumë.
Fatura e kompensimit vjen duke u rritur, ku nga 300 milionë që ishte dy vjet më parë, fondi arriti në 310 milionë, dhe nëse ecet me këto rimte, pritet që deficiti të arrijë deri në fund të vitit 2014, në rreth 450 milionë dollarë.
Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për periudhën 11-mujore rezulton se në total ka një rritje të numrit mesatar të të punësuarve për efekt të derdhjes së kontributeve (sektor shtetëror dhe sektori privat) prej 9.48 për qind, ose rreth 37.8 mijë njësi, kundrejt mesatares 11-mujore të 2010-s, nga ku sektori i tregtisë dhe shërbimeve zënë pjesën kryesore përkatësisht me rritje 33.67 për qind dhe 7.19 për qind.
Lidhur me numrin e pensionistëve, ai është rritur mesatarisht çdo vit me 5 mijë, ose gati 2 për qind, por kjo nuk mjafton në raport me masën e rritur të kontribuesve.
Situata e krijuar ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së qeverisë me politikën fiskale dhe atë sociale, nxitur nga interesi elektoral. Në kundërshtim të plotë nga organizmat financiarë, qeveria pranoi të ulte me 5 pikë përqindje masën e kontributit, duke e çuar shkallën tatimore në rreth 25 për qind.
Ulja nisi të zbatohet tre vjet më parë, në kohën kur qeveria rriste pensionet me të paktën 10 për qind, tjetër goditje kjo për sistemin.
Në vitet para të krizës, pensionet rriteshin deri në 15 për qind, ndërsa në dy vitet e fundit ishin jo më të larta se 8 për qind. Vetëm nga rritja e pensioneve vitin e kaluar, qeveria tashmë është e detyruar të nxjerrë nga arka në formë ekstra, 5 miliardë lekë, pa llogaritur detyrimet e tjera.
Për institucionet e huaja, si FMN apo Banka Botërore, kjo politikë e qeverisë deri diku shikohet jo fort e logjikshme, madje Fondi Monetar ka sugjeruar rritjen e masës së kontributit, pasi ulja me 5 pikë për qind tre vjet nuk solli asgjë pozitive.
Banka Botërore gjykon se e ka të vështirë të kryejë reformën e vetme. Ekspertja e zyrës në Tiranë thotë se, “për të realizuar ndërhyrjen, nevojitet si fillim diagnostikimi i sistemit aktual, qëndrueshmërisë fiskale dhe nivelit të përfitimeve në planin afatgjatë, duke marrë në konsideratë parametrat e sistemit të pensioneve dhe indikatorët ekonomikë”.
Reforma, Rekomandimet e BB, Bode fton opozitën
Banka Botërore e ka të pamundur të hartojë e vetme skemën e pensioneve, pasi reforma kërkon bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët kryesorë të politikës.
E thënë ndryshe, në rast se qeveria nuk punon me opozitën, skema sjell vetëm dështim, pasi bëhet fjalë për një projekt tepër afatgjatë, ku përfshihen breza të tërë.
Një muaj më parë, ekipi i BB-së që vizitoi Tiranën dhe rekomandoi me patjetër ngritjen e grupit të punës, ndërsa njëkohësisht ekspertët e huaj do të analizonin situatën me të dhënat e pensioneve.
Në këto kushte, në seancën e fundit të parlamentit, Ministri i Financave, Ridvan Bode ftoi opozitën që të ulet së bashku me qeverinë në një tryezë politike dhe ekspertësh për të kryer një reformë të sistemit të pensioneve me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional.
“Skema e pensioneve në Shqipëri kërkon 2/3 e votave dhe ka përbërë pikë debati e kërkese nga mazhoranca kur mendoi për krijimin e projektligjit dhe reformës së thellë.
Pati ekspertizë, punë dhe angazhim për tre vite. Në vitin 2007 kjo reformë ishte hartuar dhe ju kërkua Bankës të ndërmjetësonte mirëkuptim me opozitën për të nxjerrë pensionet e shqiptarëve nga debati i premtimeve apo angazhimeve politike, për ta konsideruar atë si një fond publik të atyre që kontribuojnë sot për të përfituar pension nesër”, u shpreh Bode.
Sipas tij kjo nuk u pranua nga ana e opozitës. “Zotërinj nëse e kemi me gjithë mend u ftoj që nesër të ulemi për të draftuar në mënyrë të përbashkët reformën e pensioneve për të krijuar sistem të qëndrueshëm e funksional”, iu drejtua kreu i Financave, deputetëve të opozitës, të pranishëm në Kuvend.