Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit do të jetë vetëm 0.5%. ndërkohë që një muaj më parë parashikimi i fondit për vendin tonë ishte 1.5%.
Shifrat vijnë nga raporti “World Economical outlook 2012” i publikuar së fundi nga FMN. Ky raport parashikon një rritje ekonomike prej 0,7% për vendet e Europës Juglindore ndërsa për Shqipërinë shifra është edhe më ulët: 0,5% nga 1,5% që ishte në fillim të këtij viti.
FMN në raportin në fjalë e përfshin Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë që pritet të ketë tkurrje të madhe të rritjes ekonomike.
Arsyeja kryesore ku FMN mbështet pritshmërinë e tij për një rritje kaq të ulët ekonomike në vitin 2012 janë tregues që flasin për transferimin e krizës nga vendet e euro-zonës në vendet e Evropës Juglindore dhe rrjedhimisht edhe në ekonominë e Shqipërisë.
Në krye të tyre qëndron rënia e vazhdueshme e dërgesave të emigrantëve shqiptarë të Greqisë dhe Italisë, por edhe të vendeve të tjera të Eurozonës, dërgesa që kanë qënë deri tani karburant i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.