Të paktën 47 persona kanë mbetur të vdekur në Homs në bombardimet e kryera gjatë natës, ndërsa aktivistë të opozitës flasin për një situatë humanitare alarmante.
“Prej tre ditësh jemi shënjestër e moratjave dhe plumbave të ushtrisë së Asadit dhe nuk kemi asnjë mënyrë për t’u larguar apo për t’u strehuar. Jemi në kurth”, shprehet Shadi Juri, një banor i Homsit, i cituar nga agjencia italiane e lajmeve, Ansa.
Sipas tij, lagjet më të goditura nga sulmet e regjimit të presidentit Bashar al Asad janë Bab Amro, Khaldiye, Bayada e Waar. Në War mendohet që numri i viktimave të jetë shumë i madh, pasi është goditur spitali në Walid.
Ndërkohë, televizioni arab Al Jazira ka transmetuar pamje të aktivistëve të opozitës, të cilët kërkojnë ndihmë përmes lidhjeve me modem satelitor, pasi linjat telefonike, i vetmi mjet komunikimui, kanë dalë jashtë funksionit prej ditësh.
Pamjet e transmetuara nga tarracat e pallateve shumëkatëshe dhe xhamitë e Homsit janë thirrje për ndihmë në qytetin që prej tre ditësh gjendet nën bombardimet e ushtrisë siriane.