Qeveria po përgatit të prekë fondin e Kontigjencës për të financuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të blejë energji të paktën gjatë këtyre dy muajve. Deklarata u bë dje nga minstri i Financave Ridvan Bode, i cili paralajmëroi gjithashtu edhe ndryshime në buxhet nëse situata hidrike do të vazhdojë e njejtë.
“Jemi duke shikuar mundësitë për të bërë një financim paraprak në këtë moment që ndodhemi për të vijuar importin e energjisë elektrike. Në vijimësi, me zhvillimin e situatës do të merren edhe ndërhyrjet e tjera të domosdoshme”, – tha Bode duke pasur parasysh edhe ndryshimet në buxhet.
I ftohti i këtyre ditëve ka detyruar korporatën të rrisë prodhimin si edhe importin e energjisë elektrike. Kaskada e drinit ndërkohë ndodhet në nivele të ulta duke e bërë KESH-in që të jetë disi më i kujdesshëm në drejtim të prodhimit. Në këtë mënyrë nëse situata hidrike vazhdon e njëjtë, e vetmja zgjidhje është importi.
Por energjia ka pësuar rritje çmimi aktualisht në treg duke bërë që të nevojiten më shumë para. Fondi i Kontigjencës dhe ai Rezervë i këtij viti janë në vlerën e 4.9 miliardë lekëve. Por qeveria nuk mund të shpenzojë brenda pak muajsh të gjithë këtë shumë duke financuar KESH-in në shumën e kërkuar kështu që e vetmja zgjidhje duket të jetë ndryshimi i buxhetit të shtetit.