Një tibetian raportohet t’i ketë vënë flakën vetes në jug-perëndim të Kinës, duke e çuar në 20 numrin e rasteve të tilla që nga fillimi i vitit.
Personi, që dyshohet se është një murg, i vuri zjarrin vetes në prefekturën e Abës, në provincën e Siçuanit, gjatë së mërkurës, bëjnë të ditur grupet e të drejtave të njeriut.
Raportohet se ai u mor nga policia dhe gjendja aktuale e tij nuk dihet se cila është. Incidenti vjen pas një seri protestash me viktima që janë zhvilluar kundër regjimit kinez në provincë që prej janarit.
Akti i vetëflijimit është raportuar vazhdimisht nga grupe të ndryshme civile, mes të cilave Qendra Tibetiane për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Daramsala të Indisë, ku është dhe baza e qeverisë tibetiane në ekzil.
Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Tsering Tsomo deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se incidenti ndodhi jashtë një shkolle.
Dy murgj të dëbuar, Kanyag Tsering dhe Losang Yeshe, citohen nga agjenci të ndryshme lajmesh të thonë se, kolegu i tyre u mor nga policia dhe vendndodhja e tij nuk dihet.
Prefektura e Abës, një zonë me etni tibetiane në provincën e Siçuanit, është bërë skenë e vetëflijimeve të vazhdueshme në muajt e fundit. Gjithashtu, në këtë provincë në janar u zhvilluan tre protesta të dhunshme.
Media shtetërore kineze i ka cilësuar protestat si sulme të organizuara dhe si kryengritje, ndërkohë që aktivistët thonë se policia ka hapur zjarr ndaj protestuesve paqësorë, që manifestonin kundër represionit fetar.