TIRANË- Task-forca e prokurorisë së kryeqytetit, 18 ditë pas izolimit në shtëpi të inxhinierit të IT-së së Këshillit të Ministrave të dyshuarit Armando Kasa, e ka thërritur pranë organit të akuzës për të firmosur zgjatjen e afateve hetimore edhe për tre muaj të tjera. I shoqëruar nga avokati mbrojtës, inxhinieri i IT-së është paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes Ndini Tavani, duke firmosur marrjen e dijenisë së zgjatjes së hetimeve edhe për tre muaj të tjera. Gjatë kontaktit me prokurorin e çështjes, mësohet se Kasa nuk ka ngritur ndonjë pretendim, por avokati i tij mbrojtës ka kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës të përshpejtojë hetimin. Pas kësaj firmosje, Kasa është larguar i pa shoqëruar nga efektivë të policisë drejt shtëpisë së tij të banimit.
Burimet pranë grupit hetimor të pasojave të demonstratës së 21 Janarit 2011, u shprehen për “Shekullin” se Kasa ka pranuar se ka kopjuar vetëm kamerën nr.1 që ndodhej në ndërtesën e Këshillit të Ministrave, kopje të cilën e ka dorëzuar tek shefja e analizës së Gardës së Republikës znj.Ervina Osmani. “Gjatë kohës që kam qëndruar në ndërtesën e kryeministrisë, me kërkesë të punonjëses së Gardës znj. Ervina Osmani që mora vesh më vonë se ishte shefja e analizës pranë Gardës, kopjova materialet nga kamera lëvizëse me nr.1 që ndodhej në ndërtesën e kryeministrisë. Pas kopjimit të këtyre materialeve, ia kam dorëzuar kopjen e CD-së kësaj punonjëse të Gardës”-mësohet të jetë shprehur Kasa para prokurorisë, duke mohuar në kopjime dhe fshirje të tjera. Nga ana tjetër, mësohet se organi i akuzës, ka kryer seancën e marrjes në pyetje të kësaj shtetaseje, e cila ka dorëzuar edhe kopjen e CD-së filmimeve.
Por, për prokurorët e çështjes këto materiale të dorëzuara nuk japin ndonjë ndihmë të veçantë për zbulimin e vrasjeve të katër demonstruesve. “Pamjet filmike, që i dyshuari Kasa pretendon se i ka kopjuar, janë sekuestruar, por nuk tregojnë ndonjë të dhënë për hetimin dhe zbardhjen e çështjes. Në këto pamje duken efektivët e policisë në përgatitjet para fillimit të demonstratës, gjatë demonstratës janë filmuar turma e njerëzve dhe pas mbarimit të kësaj demonstrate janë filmuar prokurorët dhe ekspertët kriminalistik duke mbledhur provat në vendin e ngjarjes”,- thanë burimet e akuzës.
Po këto burime, saktësuan se tashmë ekzistojnë dyshime që edhe pamjet tjera filmike që mendohet se i ka kopjuar dhe fshirë i dyshuari Kasa ndodhen tek një person, punonjës i Gardës së Republikës apo edhe kryeministrisë. Pamje këto që nuk janë dhe nuk po dorëzohen nga këta efektivë, edhe pse kryeministri i vendit Berisha ka premtuar dhe “urdhëruar” sipas tij, t’i dorëzohen prokurorëve të çështjes.