Albana Osmani njihet nga publiku si një personazh i televizionit, por prezantuesja e Top Channel ka një pasion që shumë pak njerëz e dinë: pikturën.
“Pasioni për pikturën ka nisur shumë herët, që në moshë të vogël. Gjërat që i pëlqeja i ktheja në vizatime”, shprehet Albana në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.
Më tej, ajo shton: “Pikturat e para kanë qenë skica të vogla: lule dhe kafshë kryesisht. Ndërsa piktura e parë e vërtetë ka qenë një tablo me tre ftonj në një perde. E kam bërë në moshën 14-vjeçare. Ka qenë e dominuar nga ngjyra e verdhë. Ishte viti i parë në Liceun Artistik kur e realizova.”
Albana thekson se frymëzimi i vjen nga çdo gjë në jetën e përditshme: “Më frymëzon e përditshmja. Mënyra se si i përjetoj ngjarjet më bën që ta hedh në telajo si më vjen.”
“Ka raste që edhe sot ulem për të zbrazur një gjendje. Nuk përqendrohem 100% sepse puna në televizion nuk më lejon të punoj intensivisht me pikturën”, shton Albana.
Përsa I përket idesë për hapjen e një ekspozite me punimet e saj, Albana zbuloi: “Kam shumë piktura në shtëpi që nuk i kam shfaqur ndonjëherë, por kam një plan ku përfshihet edhe mbesa ime që jeton në Londër. Ajo ka trashëguar talentin tim, kemi biseduar bashkë dhe kemi një projekt që po e vëmë në jetë pak e nga pak. Shpresojmë që fundi i këtij viti të na gjejë në Galerinë e Arteve.”