Në Komisionin Hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kreu Enkelejd Alibeaj njoftoi se janë mbledhur fakte nga mediat dhe institucionet për veprimtarinë e Kreshnik Spahiut.
Alibeaj deklaroi se është kërkuar informacion edhe nga KLD-ja, por ende nuk është marrë asnjë përgjigje.
Spahiu, po hetohet për devijim nga funksioni kushtetutes, duke u angazhuar në politikë, si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata.
Spahiu: Asnjë udhëtim në konflikt interesi
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, reagoi pas mbledhjes së radhës të komisionit hetimor.
"Prej 10 ditësh institucioni auditohet nga KLSH-ja, të cilit i janë dorëzuar dokumentet. KLSH-ja është i vetmi institucion kushtetues për auditimin", tha Spahiu.
Duke folur nga selia e KLD-së, Spahiu theksoi se Aleanca Kuq e Zi është krijuar 10 muaj më parë dhe jo tre vite sic pretendohet.
"Qëllimet e hyrje-daljeve kanë qenë publike dhe asnjë udhëtim nuk ka qenë në konflikt interesi me detyrën", tha Spahiu.