Situatë alarmante në repartin e pediatrisë në spitalin Rajonal të Vlorës. Brenda 24 orëve paraqiten për të marr ndihmën mjekësore 100 fëmijë, nga të cilët 20-30 fëmijë shtrohen, ndërsa 70 fëmijë të tjerë marrin vizitë mjekësore pranë këtij reparti. Kapacitetet e pediatrisë janë 46 shtretër, do të thotë që në një krevat qëndrojnë dy fëmijë. Mjeku pediatër Fatmir Brahimi ka konfirmuar rastet që paraqiten duke thënë se “ky fluks ka nisur tre javë më përpara, të gjithë fëmijët paraqiten me ngarkesa virale të ndërlikuara” .
Por problem shqetësues për mjekët e Pediatrisë është prania e një numri të lartë familjarësh në korridore dhe në dhomat ku janë shtruar fëmijët. Brahimi tha se “një fëmijë shoqërohet nga 10 persona dhe kjo gjë e vështirëson punën e mjekëve dhe rrit rrezikshmërinë e përhapjes së viruseve”.
Një faktor tjetër ndikues janë dhe kushtet aspak të përshtatshme për sa i përket infrastrukturës së brendshme të këtij reparti, pothuaj se i gjithë sistemi hidraulik është i amortizuar. Brahimi është shprehur se ka ardhur koha për një tjetë repart me kushte bashkëkohore. A.Peçi