I ftofti i acartë në vend ka detyruar Ministrin e Brendshëm Bujar Nishani të mbledhë tryezën e komitetit ndërministror të emergjencave civile.
Ndërsa situata vijon të jetë e rënduar si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave të cilat kanë pllakosur tërë vendin, ministri vë në dukje se nuk do të ketë përmirësime.
Nishani tha se janë marrë një sërë masash emergjente, kjo për t’u ardhur në ndihmë banorëve, sikundër do të angazhohet njësia e helikopterëve për shpërndarjen e ndihmave.
“Parashikimi i motit deri në datën 9 na bën me dije se moti do përkeqësohet dhe situata do bëhet edhe më e vështirë. Duhet të rritet gatishmëria për dhënien e ndihmës ndaj popullatës në zonat e thella ku ka vështirësi”.
Sipas tij, një nga detyrat më të rëndësishme është pjesa e koordinimit me prefekturat dhe kryetarët e qarqeve, rretheve apo komunave, të cilët janë më të prekur nga moti i keq.
“Duhet të vëmë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për rrugët e bllokuara. Kërkohen 5 borëpastruese në akset kryesore, si dhe pajisja e tyre me skorie e kripë. Drejtoria e rezervave të përgatisë paketën ushqimore. Në gatishmëri të situatës edhe helikopterët për ndërhyrje nga ajri”, tha Nishani.
Gjatë ditës së sotme, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi të ngrejë komitetin e emergjencave, kjo për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të bllokuar.
Komiteti do të kryesohet nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ku në përbërje do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Punëve Publike, Arsimit, Shëndetësisë dhe Bujqësisë.